Presidenti i përkohshëm i Ukrainës, Oleksandër Turcinov, tha se trupa të pajetë, mes tyre edhe i një politikani, janë gjetur “të torturuar brutalisht” pranë qytetit të Slaviansk-ut, që është nën kontrollin e militantëve pro-rusë.
Një politikan lokal është torturuar për vdekje dhe kjo ka bërë që presidenti i përkohshëm i Ukrainës, Oleksandër Turcinov, të japë urdhrin për rinisjen e operacionit antiterrorizëm në Lindje të vendit.
Presidenti i përkohshëm i Ukrainës, Oleksandër Turcinov, tha se trupa të pajetë, mes tyre edhe i një politikani, janë gjetur “të torturuar brutalisht” pranë qytetit të Slaviansk-ut, që është nën kontrollin e militantëve pro-rusë.
Volodymyr Rybak, politikani që u gjet i vdekur me shenja dhune, ishte anëtar i partisë së presidentit Turchynov. Ai ishte rrëmbyer disa ditë më parë.
Sipas Turcinov, këto krime të rënda kanë mbështetjen e Federatës Ruse, ndërsa apeloi që agjencitë e sigurisë të rinisin operacionin në mënyrë që të mbrohen ukrainasit në lindje të vendit nga terroristët, raporton Shekulli.
Pas urdhrit të Turcinov, një avion luftarak i ushtrisë ukrainase është goditur nga disa të shtëna me armë, ndërsa vijonte operacionin antiterrorizëm në qiellin e Slaviansk-ut. Pas sulmit avioni ka mundur bëjë një ulje të sigurt.
Zhvillimet e fundit që rrisin konfliktin vijnë vetëm pak orë pasi zv.presidenti amerikan, Joe Biden, deklaroi në Kiev se, “është koha, që Rusia t’i lërë fjalët e të nisë nga veprat, për të përmbushur angazhimet e Gjenevës”.
Biden bëri thirrje për largimin e trupave ruse nga kufiri me Ukrainën, ndërsa tha se Washingtoni po e humbet durimin.
“Provokimet e mëtejshme të Moskës do të sjellin izolimin akoma më të thellë të saj”, tha Biden.