Testi i arritshmërisë për klasat e nënta, këtë vit organizohet para testit të maturës, pasi ka qenë kërkesë e shkollave dhe prindërve.
Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, thonë se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e testit, ku do t’i nënshtrohen rreth 28 mijë nxënës. Testi ka për qëllim t’u mundësojë të rinjve të orientohen në shkollimin e mëtejshëm.
Testi i arritshmërisë, i cili organizohet për nxënësit që përfundojnë klasën e nëntë në të gjitha shkollat e vendit, ka për qëllim t’u mundësojë të rinjve të orientohen në karrierë dhe të bëjnë klasifikimin e profesioneve në bazë të numrit të pikëve që marrin.
Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, tha për Radio Kosovën se ky test do të mbahet për herë të parë, para testit të maturës, pasi kjo ishte kërkesë e prindërve dhe shkollave.
“Ndryshimi i datës është bërë me kërkesë të prindërve dhe shkollave, për arsye se në të kaluarën testi mbahej në fund të muajit qershor dhe shumica e prindërve e humbnin një pjesë të pushimeve, duke pritur mbajtjen e testit, publikimin e rezultateve, pastaj regjistrimin në shkollën e mesme të lartë. Kështu që këtë vit është vendosur që të jetë më 23 maj”, tha Mustafa
Mustafa, tha se në bazë të rezultatit të dëshmuar, semimaturantët do të kenë mundësi t’i zgjedhin drejtimet e preferuara në shkollimin e mesëm.
“U bëjmë apel DKA-ve që të jenë më rigoroz në menaxhimin e testit”, tha Mustafa.