Home LAJME Tezgat e librashitësve në kryeqytet, peng i rimodelimit të pikave të shitjes

Tezgat e librashitësve në kryeqytet, peng i rimodelimit të pikave të shitjes

Tezgat e dedikuara për shitësit ambulantë të vendosura në sheshin “Zahir Pajaziti” vazhdojnë të mbesin të pashfrytëzuara, derisa Komuna e Prishtinës ende nuk ua ka bërë çarenë librashitësve.

Këta të fundit kanë pasur disa herë takime me zyrtarët komunalë dhe kanë marrë premtime që kërkesat e tyre do të shqyrtohen. Por tash gjashtë muaj, qeverisja e udhëhequr nga Shpend Ahmeti nuk ka marrë një vendim lidhur me ta. Zyrtarë të kësaj komune paralajmërojnë që zgjidhja për shitësit ambulantë do të përfshihet në kuadër të disa ndryshimeve që do të bëhen në këtë shesh. Por nuk japin detaje nëse tezgat prej druri do të zëvendësohen me tezga të reja, sipas kërkesës së librarëve, që ato të jenë të mbuluara me qelq.

Shitësit ambulantë të librit, të cilët vazhdojnë të shesin libra në tezgat e tyre të improvizuara, kanë mbetur me shpresën që Komuna e Prishtinës do të gjejë një zgjidhje të përshtatshme për ta.

Në dhjetor të vitit të kaluar, gazeta kishte raportuar për dëmtimin e tezgave prej druri, që kanë zënë vend krahas hyrjes së Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Asokohe, librashitësit ishin ankuar edhe për lokacionin e papërshtatshëm ku ishin vendosur tezgat. Por zyrtarët komunalë kishin thënë se do t’i detyrojnë shitësit të vendosen në vendin e caktuar.

Previous articleMbi 119 mijë lëndë të paekzekutuara në gjykata
Next articleDanaj: Protestat janë të ligjshme