Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi në konferencën me rastin e përkujtimit të eksodit të shqiptarëve të Kosovës gjatë vitit 1999 dhe nderimit për të gjithë ata shqiptarë të Shqipërisë që i pritën të ikurit nga Kosova tha se ky është një moment i rëndësishëm për të bërë një reflektim të arritjeve të Kosovës nga ajo kohë.
Kryeministri Thaçi falënderoi Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e BE-së dhe NATO-n për gjithë atë çka kanë bërë për Kosovën.
“Falënderoj shtetin shqiptar që i është gjetur Kosovës në ato momente të vështira”, u shpreh ndër të tjera, Thaçi.
Kryeministri Thaçi tha se për këto pak vite pas eksodit të shqiptarëve, Kosova përmbylli me sukses shtetndërtimin.
Ai tha tashmë Kosova është shtet modern, respekton të drejtat e njeriut dhe është faktor stabiliteti në rajon.
Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se në atë kohë, një vend i vogël si Shqipëria, dukej çuditërisht i fortë.
Kryeministri i Shqipërisë tha se 15 vjet është shumë për jetën e një njeriu, por jo edhe për një popull. Ai kujtoi sakrificën e popullit të Kosovës për të mbijetuar goditjes së fundit të 99-së. Ai tha se është fat që derisa 15 vjet më parë ishte kaos, sot bisedohet për partneritet strategjik.
Rama ndau një detaj që është diskutuar në takimin me kancelarin Angela Merkel. Ai tha se në 100 vjetorin e Luftës së Parë Botërore Ballkani gjendet në paqe.
Sipas tij, liderët e rajonit duhet të jenë në Londër jo për të diskutuar si do të ndahen territoret, jo të diskutohet për luftë, por të diskutohet për paqen, që është me rëndësi të jashtëzakonshme për rajonin.
Rama foli edhe për proceset e përgjithshme politike e ekonomike të kombit shqiptarë.