Home LAJME Thaçi: Do ta shqyrtojmë largimin e TVSH-së për lëndën e parë

Thaçi: Do ta shqyrtojmë largimin e TVSH-së për lëndën e parë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në kuadër të vizitave që po iu bën bizneseve anë e kënd Kosovës, sot ka vizituar disa ndërmarrje të prodhimit të mobileve në Vushtrri.

Kryeministri Thaçi fillimisht u ndal në Fabrikën e Mobileve “BINNI”, ku u njoftua për së afërmi me procesin e punës në këtë fabrikë moderne të përpunimit të mobileve, që është pronë e familjes Fazliu. Më pastaj Kryeministri Thaçi vizitoi ndërmarrjen për plasmanin e mobileve “DEKRA” të pronarit Xhavit Krasniqi.

Në përmbyllje të vizitës së ndërmarrjeve në Vushtrri, Kryeministri Hashim Thaçi, vizitoi Fabrikën për prodhimin e mobileve “Ciao BERTO”, të pronarit Ejup Krasniqi.
Në prononcimin për media, pas vizitave, Kryeministri Hashim Thaçi tha se Qeveria do të shikoj mundësinë që të largoj TVSH-në për lëndën e parë.

“Tash Qeveria e Kosovës do të shikojë mundësinë më të mirë dhe shpejtë që të heqë edhe TVSH-në për lëndën e parë dhe përpunimin e drurit dhe për prodhimin e mobileve, në mënyrë që të krijohen kushte dhe rrethana shumë më të lehta për përpunimin e tyre, të zgjerohen këto biznese, të hapen edhe vende të reja të punës”, tha ai.
Po ashtu, Thaçi tha se “Në kuadër të këtij angazhimi do të jetë në ndihmë edhe Fondi i Punësimit dhe Zhvillimit, që do të krijohet shumë shpejtë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, një fond prej 1,5 miliard eurosh”.

Në emër të prodhuesve dhe të përpunuesve të drurit pronari i Fabrikës për prodhim e mobileve “Cia BERTO”, Ejup Krasniqi e falënderoi kryeministrin Thaçi për vizitën dhe për përkushtimin për zhvillimin ekonomik të vendit, duke theksuar se edhe përpunuesit e drurit dhe të mobileve, me projektet e tyre për t’u zgjeruar dhe zhvilluar dhe për të krijuar vende të reja të punës, shpresojnë të jenë përfitues nga Fondi për Punësim dhe Zhvillim.

Previous articleLlamkosi tregon forcën, fundos Fushë Kosovën
Next articleJobs, nëse do ishte gjallë do ishte në burg?