Home LAJME Thaçi: Do të jem faktor unifikues, do të punojë për të mirën...

Thaçi: Do të jem faktor unifikues, do të punojë për të mirën e qytetarëve

Në fjalimin e tij të parë si president i vendit, Hashim Thaçi para deputetëve të Kosovës tha se do t’i shërbejë vendit për të mirën e të gjithë qytetarëve si dhe të jetë faktor unifikues.

Ai para deputetëve të Kosovës dhe në praninë e ambasadorëve të akredituar në Kosovë tha se do të jetë garant i mbrojtjes së Kushtetutës dhe interesave të Kosovës.

“Qëllimi dhe vizioni i qytetarëve të Kosovës është integrimi në BE dhe NATO si dhe miqësia e përhershme me SHBA-të”, tha presidenti, duke shtuar se për këtë do të punojnë institucionet e shtetit.

Ai tha se Kosova do të jetë pjesë aktive e bllokut kundër terrorizimit, ndërsa tha se institucionet shtetërore do të jenë të pakompromis ndaj ekstremizmit.

Presidenti Thaçi tha se Kosova është krenare me të kaluarën, ndërsa përmendi edhe përpjekjet e ish-presidentit Rugova dhe sakrificën e familjes Jashari.

Thaçi po ashtu ka përmendur gjatë fjalimit integrimin evropian të Kosovës, liberalizimin e vizave, formimin e FAK-ut si dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Të jesh president i vendit është nder dhe përgjegjësi e madhe dhe zotohem se do ta kryej në komunikim të ngushtë me juve”, u shpreh presidenti para deputetëve, duke shtuar se do të angazhohet për dialog ndërpartiak në vend.

Thaçi po ashtu, foli edhe për bisedimet me Serbinë, duke thënë se dialogu është i domosdoshëm, por tha se nevojitet një qasje e re.

Ndryshe, në seancën e jashtëzakonshme të datës 26 shkurt 2016, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Hashim Thaçin president të Republikës së Kosovës, kryetar aktual i Partisë Demokratike të Kosovës, zëvendëskryeministër dhe ministër i punëve të jashtme.

Seanca e cila nisi rreth orës 11:00, u shoqërua me incidente në Kuvend dhe me trazira të protestuesve të opozitës.

Në rundin e parë dhe të dytë Thaçi nuk arriti t’i marrë votat e nevojshme për t’u bërë president, ndërkaq tek në rundin e tretë, kur kërkohej shumica e thjeshtë Thaçi siguroi votat.

Në raundin e tretë, kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, njëkohësisht zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm i Kosovës, pati 71 vota, të mjaftueshme për t’u emëruar këtë herë president i Kosovës. Gjithsej 81 deputetë votuan.

Previous articleJahjaga takon Mogherinin në Bruksel
Next articleThaçi: Jam një President i thjeshtë i një populli heronjsh