Liderët e PDK-së dhe LDK-së, Hashim Thaçi e Isa Mustafa, pritet të shkojnë në takimin e përbashkët të përfaqësuesve politikë me dy agjenda.
Përderisa Thaçi ka paralajmëruar të kërkojë edhe një kompromis ndërmjet partive të shumicës dhe më ato të pakicave që në shkëmbim të votës për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës minoriteteve t’u vazhdohen mandatet e rezervuara në Kuvend, lideri i LDK-së, sipas burimeve të besueshme brenda këtij subjekti politik, shkon në këtë takim me kërkesën e vetme që është marrëveshja për datën e zgjedhjeve.
Takimi i liderëve të partive politike në lidhje me agjendën e zgjedhjeve të ardhshme, ishte paralajmëruar fillimisht të mbahet të enjten e kaluar, por Mustafa ka qenë javën e kaluar në një vizitë në Austri. Kështu që nëse të gjithë liderët janë në Prishtinë, ky takim do të mbahet këtë të hënë, ndonëse enden nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Marrëveshja e 14 shkurtit ndërmjet Thaçit e Mustafës konsistonte në votimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës dhe vazhdimin e EULEX-it dhe më pas shpërndarjen e Kuvendit në mënyrë që zgjedhjet të organizoheshin një të diel nga datat 1, 8 apo më së largu 15 qershor. /Tribuna/