Home Uncategorized Thaçi: Mobilizim për ta “shpëtuar Gjilanin” nga Luta

Thaçi: Mobilizim për ta “shpëtuar Gjilanin” nga Luta

Kryeministri i vendit dhe kreu i PDK-së, Hashim Thaçi në takimin e ri-mobilizimit me strukturat e Degës së PDK-së në Gjilan për balotazhin e 1 dhjetorit 2013, kërkoi angazhim maksimal, jo vetëm të kësaj strukture por të të gjithë qytetarëve të Gjilanit, siç tha ai, “për ta penguar të keqen që po i kanoset Gjilanit nga njeriu që nuk bëri asgjë për Gjilanin”.

Në zgjedhjet e 3 nëntorit, kandidati i LDK-së, Lutfi Haziri shënoi një epërsi të lartë ndaj konkurrentit kryesor, Qemajl Mustafës së PDK-së, me të cilin do të përballet në balotazh më 1 dhjetor, andaj lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, sërish ka zbritur në Gjilan për të përkrahur kandidatin e subjektit të tij politik.

Thaçi tha se Gjilanin duhet shpëtuar “nga njeriu që u tall dhe i fyeu veteranët e luftës së UÇK-së duke i quajtur rrugaçë, i fyeu të burgosurit politikë, duke i quajtur ‘robiash’, i fyeu familjet e dëshmorëve dhe çdo gjë që është vlerë e jona e përbashkët, vlerë e këtij qyteti”.

“Ju, nuk guxoni ta lejoni këtë të keqe që qytetin tuaj e kthen prapa, atje ku ishte në vitin 2004 e 2005. Ju të nderuar aktivistë të devotshëm të Partisë Demokratike nuk guxoni të lejoni nëpërkëmbjen e qytetit tuaj të bukur të Gjilanit, të ndërtuar me mund e djersë nga PDK dhe qytetarët e Gjilanit”, tha Thaçi.

Kreu i PDK-së më tej tha se “Gjilani duhet të ec drejt një qyteti evropian me Partinë Demokratike të Kosovës dhe qytetarët e saj”.

“Nuk është në pyetje më partia e as Qemajl Mustafa, por shpëtimi i Gjilanit nga më e keqja. Ne do të kemi partner me të cilët do të fitojmë më 1 dhjetor 2013”, ka thënë Thaçi, duke i falënderuar për angazhimin ne këtë proces zgjedhor të vlerësuar lartë nga bashkësia ndërkombëtare.

Ndërsa në fjalën e tyre mobilizuese kryetari i Degës, Izmi Zeka, kandidati për kryetar Qemajl Mustafa dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës Zenun Pajaziti, kanë falënderuar gjithë strukturën e degës, aktivistët, simpatizantët dhe elektoratin e madh për angazhimin e treguar në këtë proces zgjedhor, ndërsa i kanë ftuar për mobilizim të përgjithshëm për fitoren përfundimtare më 1 dhjetor 2013.

Qemajl Mustafa, ka thënë se “për balotazh kemi mbështetje nga elektorati që vjen nga gjitha subjektet politike, madje një mbështetje shumë e madhe vjen edhe nga aktivistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës”.

“S’ka dyshim se ne do të jemi fitues të përbashkët të Gjilanit bashkë me qytetarët tanë. Kudo në hapësirën e Gjilanit po vërehet fryma fituese e Partisë Demokratike, aradhet e së cilës po shtohen në çdo çast, ka thënë ai duke spikatur mbështetjen dhe riorganizimin në shumicën e fshatrave dhe lagjeve të Gjilanit”, tha Mustafa.

Në raundin e parë të zgjedhjeve, Lutfi Haziri i LDK-së doli me një epërsi të konsiderueshme prej gati 7 mijë votash në krahasim me Qemajl Mustafën e PDK-së.

Haziri dhe Mustafa do të përballen sërish, dhe për të fundit herë, në garën e balotazhit më 1 dhjetor, kur do të dihet se në duar të kujt do të jetë Gjilani në katër vjetët e ardhshme. /RadioRINIA/

Previous articleTakohen Thaçi e Haradinaj
Next articleHolanda i dhuroi FSK-së pajisje për komunikim nënujor