Home LAJME Thaçi në Bruksel: Viti 2015, vit i Evropës për Kosovën

Thaçi në Bruksel: Viti 2015, vit i Evropës për Kosovën

Zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës, sot ishte në mesin e panelistëve kryesorë për zgjerim dhe ndërlidhje në konferencën për bashkëpunim dhe zgjerim në Ballkanin Perëndimor, e cila u mbajt në Bruksel në kuadër të “Ditës së Bashkëpunimit Rajonal”.

Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Thaçi tha se takimet e tilla si ky i sotmi përbëjnë mekanizma të rëndësishëm që ndihmojnë në përmirësimin e komunikimit midis shteteve të rajonit dhe se nismat rajonale sikur kjo e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) po dëshmohen si mjete të çmueshme.

“Komunikimi ynë i avancuar do të shërbejë edhe për përmirësimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian dhe me pjesën tjetër të botës. Vendet e Ballkanit Perëndimor tani i janë kthyer së ardhmes, ku kryefjalë do të jenë bashkëpunimi dhe bashkimi në NATO dhe në Bashkim Evropian”, ka theksuar Thaçi.

Duke veçuar projektet e prezantuara në konferencën e mbajtur në Prishtinë, përfshirë ndërtimin e Rrjetit Bazë të rrugëve, autostradave, hekurudhave dhe investimeve në sektorin e ujit, Thaçi ka thënë se projektet e nisura në samitin e Berlinit në vitin e kaluar janë të një rëndësie kyçe për vendet e rajonit dhe se ato vijnë në momentin më të favorshëm,
“Në Bruksel u dakorduam për ndërtimin e Rrjetit Bazë dhe tani po përgatitemi për samitin e radhës në Vjenë për të ndërmarrë hapa konkretë për ndërtimin e tij. Kjo do të sjellë më shumë mundësi për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët e vendeve tona”, është shprehur zëvendëskryeministri Thaçi.

Previous articleMinistria e Bujqësisë premton përkrahje për fermerët llapjanë
Next articleSulmi ndaj Nënkryetarit të Komunës së Podujevës, akt qyqar