Kryeministri Hashim Thaçi ka ftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që të hënën të votojnë për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK).
Ai ka thënë se këtë vendim janë duke pritur të gjithë qytetarët e Kosovës, SHBA-ja, BE-ja dhe NATO.
“Unë shpresoj dhe besoj se edhe Kuvendi i Kosovës, të hënën, do të votojë, sepse nuk ka interes politik që duhet ta stopojë apo ngadalësojë themelimin e Ushtrisë së Kosovës. Ne kemi bërë përpjekje tash e shumë vite. Njëherë e kishim UÇK-në, pas çlirimit e formuam TMK-në, pas pavarësisë FSK-në e tani e kemi përkrahjen e plotë të SHBA-ve, të BE-së dhe të NATO-s, që ta themelojmë edhe ushtrinë tonë”, ka thënë Thaçi.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin, ushtria është e themeluar, vetëm kërkohet që ata deputetë që janë në Kuvendin e Kosovës, të prekin sustën ‘PO’ dhe shtrohet pyetja prej të gjithë bashkëluftëtarëve dhe qytetarëve të Kosovës pse mungon ai vullnet sot?
“Këtë vendim janë duke pritur të gjithë qytetarët e Kosovës, këtë vendim janë duke pritur edhe SHBA-ja, BE-ja edhe NATO-ja. Nëse nuk ndodhë ky votim të hënën, të jeni të sigurt se po rrezikojmë me fajin tonë, por faji duhet të adresohet”, ka thënë Thaçi.
Ai ka shtuar se Forcat e Armatosura të Kosovës nuk janë vetëm të një partie politike, shkruan Epoka e re.
“Ushtria nuk është e një partie, është e shtetit të Kosovës, është në shërbim të qytetarëve të Kosovës, të mbrojtjes së Kosovës do të jetë forcë krah për krah me NATO-n, nuk ka arsyetim për mos votim. Qeveria ka nxjerr vendimin, ka themeluar ushtrinë, do të ketë tetë mijë vajza dhe djem të Kosovës, ushtria do të jetë sipas standardeve dhe kritereve të NATO-s. Gjithë bota po na përkrahë e tash ne po hapim dilemë këtu”, është shprehur Thaçi.
Ai ka thënë se nëse deputetët nuk votojnë për themelimin e Forcave të Armatosura, nuk e di se çfarë përgjigje do t’i japë Amerikës dhe Evropës.
“Unë do t’iu them përsëri edhe juve si kryeministër i vendit, unë nuk kam ndonjë përgjigje nesër, nëse nuk ndodhë ai votim as për Amerikën, as për Evropën dhe as për NATO-n. Sepse të gjithë do të na pyesin çka po ndodhë me ju? Ju kërkonit ushtrinë, ne ua dhamë mundësinë, tash çfarë po ndodhë me ju. Por shpresoj dhe besoj që do të ndodhë ky votim”, ka thënë Thaçi, dje në akademinë përkujtimore, me rastin e 15-vjetorit të rënies së komandantit të Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”, Ilaz Kodra.
Ai ka thënë se Kosova para vetes ka objektivin e tretë, pas lirisë dhe pavarësisë, atë të integrimit në institucionet euroatlantike.
“Po ju them përsëri, nuk mund të hyjmë në NATO pa ushtri, pasi na është dhënë mundësia me bërë ushtrinë, e ne hapim dilema”, është shprehur kryeministri Thaçi.