Home LAJME Thirrje për t’i përngjarë Jezusit

Thirrje për t’i përngjarë Jezusit

Thirrje për t’i përngjarë në përpikëri Jezusit, për t’u bërë zemërbutë dhe për t’i përngjarë edhe në dashuri e në besnikëri, janë bërë sot nga ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, në meshën qendrore të festës së Pashkëve.

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji gjatë ndezjes së qiririt ka lutur zotin që shkëlqimi i kësaj feste të zbres në zemrat e të gjithë neve që besojmë dhe në të gjithë njerëzve vullnet mirë.

Dodë Gjergji i ka ftuar besimtarët që ti përngjajnë në tërësi Krishtit, duke konsideruar kështu dashurinë e madhe të Jezu Krishtit që kishte pasur ndaj njerëzve.

“T’i përngjani atij në përpikëri duke u bërë zemërbutë. T’i përngjani atij pa u luhatur dhe pa u lodhur që mos të shqetësohet zemra e juaj. T’i përngjani atij në uratë duke i dhënë lavdi gjithmonë atit tuaj. T’i përngjani atij në dashuri, duke qenë gjithmonë në shërbim të vëllezërve dhe motrave dhe duke e shpalosur dashurinë e juaj për të gjithë botën. T’i përngjani atij në besnikëri, duke i mbetur besnik këtij premtimi që do të jepni në pagëzim”, ka thënë Dodë Gjergji.

Lutjet dhe kërkesat e ipeshkvit të Kosovës, Dodë Gjergji, shkuan deri në atë masë saqë për dashurinë tha se njerëzit mund të na marrin gjithçka, por dashurinë jo.

Ipeshkvi gjatë kësaj meshe ka theksuar se ai është lutur edhe për njerëzit në Kosovë që sipas tij paqja e brendshme e Krishtit të prek zemrat e tyre.

“Në porosinë time ju kam siguruar që Kisha nuk do të pushojë kurrë duke u lutur që paqja e brendshme e shpirtit dhe dashuria e përkryer e Krishtit të prek të gjithë zemrat e njerëzve në Kosovë që të kemi paqen si fryt të pajtimit e jo si pasojë e fitores mbi njëri tjetrin. Mirëpo, për të mbërri në këtë nivel dashurie duhet të lirohemi nga urrejtja, nga dëshira e të eturit për shtet, nga lakmia dhe nga çdo e keqe tjetër”, ka thënë Dodë Gjergji.

E, hiq më pak e rëndësishme, kjo natë kishte qenë edhe për 20 persona që kishin zgjedhur pikërisht këtë natë për t’u konvertuar në fenë katolike.

Ceremonia është zhvilluar në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë.

Ndërsa gjatë ditës së sotme, shumë liderë të institucioneve kanë uruar ipeshkvin e Kosovës, Dodë Gjergjin për festën e pashkëve.

Në Katedralen e Prishtinës, ipeshkvin e ka vizituar edhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.

Duke e uruar për festën e Pashkëve, Presidentja Jahjaga ka thënë se Pashkët janë një ditë e ringjalljes së jetës dhe të mirës, ditë e shpresës dhe e dashurisë e mirëkuptimit midis njerëzve

Previous articleShiu rrotullon veturat në Podujevë
Next articleGeci: Të bashkohemi, e ta mundim Thaçin