Thirrje për zgjedhje me standarde demokratike

zgjedhje_ne_kosove1zKoalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” DnV ka zhvilluar një takim me Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ian Cliff, ku është diskutuar për përgatitjet që DnV ka bërë për monitorimin e zgjedhjeve të 3 nëntorit. Në këtë takim është diskutuar edhe për rëndësinë që kanë këto zgjedhje, ndërkohë është bërë thirrje për një proces demokratik zgjedhor.

Ismet Kryeziu, udhëheqës i DnV-së ka bërë thirrje që institucionet dhe të gjithë aktorët, për veprimet e tyre mos të jenë të varur nga varëset e partive politike, por të demonstrojnë përgjegjësi qytetare dhe shtetërore.

Nga ana tjetër, ambasadori Ian Cliff ka thënë këto zgjedhje, edhe pse janë zgjedhje lokale, janë shumë të rëndësishme për dy arsye: “Në njërën anë, zgjedhjet lokale po mbahen për herë të parë në veri, dhe është shumë me rëndësi që të zgjedhim autoritete të besueshme në komunat e veriut në mënyrë që komuniteti ndërkombëtar, Prishtina dhe Beogradi të mund të bashkëpunojnë me ta. Ndërsa, në anën tjetër, zgjedhjet lokale po ndodhin në periudhën pasi që Kosova ka filluar negociimet për MSA-në”, ka thënë ambasadori Cliff.

Ndërkohë, në konferencë është publikuar edhe raporti i plotë nga monitorimi njëmujor i fushatës zgjedhore. Demokracia në Veprim, bazuar në të dhënat e monitoruesve të këtij koalicioni të cilët kanë monitoruar rreth 851 tubime publike të subjekteve politike, vlerëson se fushata elektorale për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, në përgjithësi është zhvilluar e qetë dhe pa ndonjë incident serioz. Megjithatë, shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët, janë evidentuar në shumë tubime publike.

Sa i përket ankesave të subjekteve politike në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa PZAP, gjatë gjithë fushatës elektorale janë proceduar 193 parashtresa, prej tyre 158 ankesa dhe 35 apele që lidhen me procesin zgjedhor të 3 nëntorit 2013.

Numrin më të madh të ankesave e ka parashtruar Lëvizja Vetëvendosje – LVV me gjithsejtë 58 ankesa. Pas saj vjen Lidhja Demokratike e Kosovës – LDK me 44 ankesa, Partia Demokratike e Kosovës – PDK me 28 ankesa, Partia e Ashkalive për Integrim – PAI, me 10 ankesa etj. Totali i gjobave te shqiptuara nga PZAP-i ndaj subjekteve politike është: 121,900 euro: PDK – 62,250 Euro; AAK – 21.500 Euro; LDK – 20.700 Euro; AKR – 11.050 Euro; PD – 1.000 Euro; GIS – 900 Euro; BD – 850 Euro; LVV – 800.

Nga ana tjetër, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ka njoftuar se prokurorët e shtetit, në kuadër të detyrimeve ligjore që kanë lidhur me Zgjedhjet Lokale 2013, deri më tani në shtatë prokuroritë themelore të vendit, kanë pranuar 21 lëndë, të cilat janë paraqitur në komunën e Prizrenit, Kamenicës, Kllokotit, Prishtinës, Gjilanit, Pejës, Mitrovicës, Malishevës, Suharekës, Lipjanit, Graqanicës, Parteshit dhe Junikut.

Një element tjetër i evidentuar gjatë fushatës është pjesëmarrje tejet e ulët e grave në tubime elektorale. Nga 405 tubime zgjedhore të monitoruara nga vëzhguesit e DnV-së, pjesëmarrja e femrave ka qenë më pak se 5 për qind.

Monitoruesit e DnV-së kanë identifikuar po ashtu përdorimin e veturave zyrtare dhe resurseve të tjera publike për qëllime të propagandës elektorale, pothuajse në tubimet e organizuara në të gjitha qytetet e Kosovës, edhe pse një gjë e tillë bie në kundërshtim direkt me ligjin. Rastet e përdorimit të resurseve publike janë identifikuar në 42 raste. Në 30 raste janë përdorur në tubimet e organizuara nga PDK (Prizren, Gjilan, Rahovec, Mitrovice, Vushtrri dhe Fushë Kosovë) dhe 3 raste nga AAK (Prizren dhe Ferizaj), 2 raste nga LDK (Istog dhe Suharekë) si dhe 1 rast nga AKR (Fushë Kosovë).

Përdorimi i fëmijëve ndërkohë në tubimet elektorale është bërë praktikë e shpeshtë. Ky fenomen është evidentuar në 110 tubime të subjekteve politike, ku në 95 prej tyre pjesëmarrja e fëmijëve ka qenë në nivelin e 5 deri 20 për qind, kurse në 15 tubime tjera pjesëmarrja ka qenë mbi 20 për qind.

Vendosja e posterëve në objekte publike, si dhe dëmtimi i posterëve është evidentuar në disa raste. Më të shprehura janë ato të vendosjes së posterëve dhe materialeve tjera propaganduese në shenjat e komunikacionit dhe objektet tjera publike.

Në raport janë paraqitur edhe raste kur mediat janë penguar për ushtrimin e veprimtarisë së tyre. Gjithashtu problem për mediat dhe OJQ-të monitoruese ka paraqitur mos lajmërimi i aktiviteteve të subjekteve politike në KKZ.

Nga vëzhguesit e DnV-së janë identifikuar dhe raste të ekspozimit të armëve në tubimet partiake nga personat që shërbejnë për mbrojtjen e afërt për personat publik. Raste të tilla janë evidentuar në 27 raste. 13 raste janë evidentuar në tubimet e AAK-së, 7 raste në tubimet e PDK-së, 2 raste në tubimet e BD-së dhe 1 rast në tubimin e LDK-së. /RadioRINIA/