Avokati i Popullit të Shqipërisë, Igli Totozani, zhvilloi një vizitë zyrtare dy ditore në Beograd, me ftesë të Avokatit të Popullit të Serbisë, Sasa Jankoviç.
Gjatë takimit me homologun serb, u diskutua gjerësisht mbi rolin e rëndësishëm që kanë institucionet e Avokatit të Popullit, si institucione apolitike, në fuqizimin e bashkëpunimit rajonal në dobi të qytetarëve.
Një nga pikat që u diskutua ishte dhe njohja nga shteti serb i diplomave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës që kanë studiuar në Shqipëri dhe Kosovë. Avokati i Popullit të Serbisë ritheksoi që institucioni do të jetë në shërbim të gjithë atyre qytetarëve, brenda kompetencave ligjore, që hasin pengesa në procesin e njohjes së diplomave, të tilla si vonesa proceduriale apo refuzime të njohjes.
Në prononcimin që pati për gazetarët Totozani u shpreh se Avokati i Popullit nuk ka natyrë politike por punon në dobi të qytetarëve.
“Ështe e rëndësishme të dihet që ne ombdusmanët jemi institucione që nuk kemi natyrë politike. Ne nuk merremi me politikë. Ne trajtojmë në territorin e shtetit të secilit, problemet që kanë lidhje me të drejtat e njeriut, që shqetësojnë qytetarët. Ndaj jam i gëzuar sot që gjendem së bashku me zëvendësin e Avokatit të Popullit të Serbisë në Bujanoc. Kjo është një vizitë mjaft e suksesshme do të thosha rezultative dhe e rëndësishme në bashkëpunim me Avokatin e Popullit e Republikës të Serbisë. Mendoj se kemi hapur një faqe të re në bashkëpunimin tonë, një bashkëpunim të ngushtë në dobi të qytetarëve tanë”, përfundoi Totozani.
Nga ana tjetër, Avokati i Popullit të Serbisë u angazhua që do të fillojë të ndjekë me iniciativë gjendjen e të burgosurve me shtetësi shqiptare të cilët vuajnë dënimin në Serbi, në veçanti të një shtetasi i cili gjendet në kushte jo të mira shëndetësore.
Me ftesë të Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Serbi, Michael Davenport, Avokati i Popullit, Totozani pati rastin të takohej me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me ish kryeministrin e Serbisë dhe ministrin aktual të Jashtëm, Ivica Daçiq, si dhe me një sërë përfaqësuesish të ndryshëm nga organizata të ndryshme ndërkombëtare në Serbi, përfshirë këtu Këshillin e Evropës dhe organizata të ndryshme të shoqërisë civile.
Gjithashtu Totozani pati takime dhe me deputetët nga Presheva dhe Bujanoci.
Një takim të veçantë, Totozani zhvilloi dhe me përfaqësuesit nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut, ku u diskutua respektimi i këtyre të drejtave në fusha të ndryshme.