Home LAJME U mbajt mbledhja e 22-të e Qeverisë së Republikës së Kosovës

U mbajt mbledhja e 22-të e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të 22-tën me radhë, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa.

 Në mbledhje është aprovuar Projektligji për Përgjimin e Telekomunikimeve, vendimi për inicimin e përgatitjes së Programit Kombëtar të Republikës së Kosovës për Adoptimin e Acquis-së së Bashkimit Evropian, koncept-dokumente dhe vendime të tjera.

 Projektligji për përgjimin e telekomunikimeve ka marr aprovimin e kabinetit qeveritar. Ky projektligj rregullon procedurat dhe kushtet mbi përgjimin e telekomunikimeve që realizohen për nevoja të procedurës penale nga institucionet shtetërore të themeluara me ligj, procedurat dhe kushtet e përgjimit për nevoja të strukturave të inteligjencës të themeluara me ligj. Projektligji përcakton rregullat, detyrimet dhe procedurat për Operatorët e Rrjeteve dhe Ofruesit e Shërbimeve në lidhje me përpunimin e të dhënave të caktuara nga ana e tyre. Gjithashtu përcaktohen detyrimet dhe autorizimet e institucioneve shtetërore të themeluara me ligj për të garantuar respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut në procesin e përgjimit të ligjshëm, si dhe kontrollin në zbatimin e procedurave të përgjimit.

 Kabineti qeveritar ka miratuar koncept-dokumentin për banim social i cili rekomandon plotësim ndryshimet për zbatimin e ligjit përmes masave të detyrueshme ose stimuluese për komunat që në zonat ku ka nevojë të konsiderueshme për banim social të kërkojë mbështetje nga sektori privat.

 Edhe koncept dokumenti për mbrojtjen e ajrit nga ndotja është miratuar në mbledhjen e sotme. Koncept-dokumenti synon realizimin e transpozimit të direktivës së Bashkimit Evropian në legjislacionin e Republikës së Kosovës dhe zbatimin e tij, sigurimin e kornizës për mbrojtjen e cilësisë së ajrit dhe promovimin e rëndësisë së cilësisë së ajrit. Kjo do të arrihet përmes hartimit të ligjit të ri për mbrojtjen e ajrit nga ndotja.

 Qeveria ka miratuar edhe draft koncept dokumentin për procedurat e aplikimit për vende pune në institucionet e Republikës së Kosovës për pjesëtarët e komuniteteve jo-shumicë që posedojnë diploma të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut. Dokumenti synon përgatitjen e terrenit për zbatimin e dispozitave ligjore që kanë të bëjnë me Universitetin e Mitrovicës Veriore dhe pajtueshmërinë e statutit të këtij universiteti me legjislacionin e nivelit qendror të Republikës së Kosovës, me qëllim integrimin e tij në kornizën ligjore të Republikës së Kosovës.

 

Qeveria e Republikës së Kosovës, për anëtarë të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, i propozoi Kuvendit të Kosovës këta kandidatë:

1.         Musa Shabani

2.         Festim Kutllovci

3.         Selim Frangu

4.         Avdi Konjuhi

5.         Kemajl Zeqiri

6.         Shpend Terdeva

7.         Bekim Troni

8.         Azem Rexhaj

Propozimet do të dërgohen në Kuvendin e Kosovës, ku do të zgjidhen katër nga tetë të propozuarit.

 

Në mbledhjen e sotme është aprovuar edhe vendimi për inicimin e përgatitjes së Programit Kombëtar të Republikës së Kosovës për Adoptimin e Acquis-së së Bashkimit Evropian. Programi do të synojë adoptimin e Acquis-së së Bashkimit Evropian në përputhje me Marrëveshjen  e Stabilizim Asociimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

 

Është aprovuar Platforma Vjetore e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

 

Është themeluar Komisioni Qeveritar për Manifestimin gjithëpopullor “Ditët e Shqipes, përvjetori i Betejës së Koshares” e cila do të organizohet nën patronatin e Kryeministrit të Kosovës, z. Isa Mustafa, në këtë përbërje:

1.         Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës,                                            Kryesues;

2.         Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit,    anëtar;

3.         Një këshilltar i Kryeministrit,                                                                    anëtar;

4.         Shefi i Protokollit në Ministrinë e Punëve të Jashtme,                           anëtar;

5.         Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal,                           anëtar; 

6.         Një përfaqësues i Komunës së Junikut,                                                    anëtar.

 

Kabineti ka miratuar vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për Themelimin e Komisionit Ndërministror për udhëheqjen e projektit për zhvillimin e Brezovicës dhe për zbatimin e procedurave me qëllim të zhvillimit të projektit. Komisioni do të përbëhet si në vijim:

1.         Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë,                      Kryesuese;

2.         Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal,               anëtar;

3.         Ministri i Financave,                                                       anëtar;

4.         Ministri i Integrimit Evropian,                                      anëtar;

5.         Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor,        anëtar; 

6.         Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, anëtar dhe

7.         Kryetari i Komunës së Shtërpcës,                                 anëtar.

 

Qeveria ka miratuar vendimin për të mbështetur financiarisht Komunën e Vitisë në situatën e krijuar nga vërshimet.

 

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka njoftuar kabinetin qeveritar për vizitën në Bullgari, ndërsa ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani për vizitën në Letoni, ku ka marr pjesë në konferencën për luftimin e tuberkulozit. Ministri pa Portofol, Rasim Demiri, ka informuar për pjesëmarrjen në konferencën “Biznes plus” në Beograd.

Previous articleThaçi fillon konsultimet për Presidencë
Next articleAgim Veliu: LDK-ja nuk e ka “kap shtetin”, por që atë e ka fituar me vota të popullit.