Home LAJME U mbajt mbledhja e rregullt e Qeverisë së Republikës së Kosovës

U mbajt mbledhja e rregullt e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të rregullt të drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka miratuar raportin 100 ditësh të punës së Qeverisë dhe disa vendime të tjera sipas agjendës.

 Raporti njëqind ditësh i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i cila ka marr aprovimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme, evidenton masat, vendimet dhe të gjitha aktivitetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, në njëqind ditët e para.

 Kryeministri Isa Mustafa ka vlerësuar se të arriturat në këtë njëqind ditësh janë rezultat i angazhimit dhe punës së përbashkët të kabinetit qeveritar, që ka pasur për synim themelor ndërtimin e një qeverisje të mirë dhe të orientuar drejt zgjidhjes së problemeve jetike të qytetarëve.

 Projektligji për trashëgiminë kulturore është miratuar sot nga Qeveria dhe është proceduar në Kuvendin e Kosovës për miratim. Qëllimi i këtij projektligji është mbrojtja dhe ruajtja e pronave, objekteve dhe vlerave të trashëgimisë kulturore në Kosovë. Projektligji përcakton edhe masat ligjore për inventarizim, hulumtim, dokumentim, përzgjedhje, konservim, restaurim, administrim dhe promovim të trashëgimisë kulturore në pajtim edhe me aktet ndërkombëtare.

 Qeveria ka miratuar Projektligjin për Digjitalizimin e Transmetimeve Radio Difuzive Tokësore. Projektligji rregullon procesin kalues nga emetimi analog në atë digjital në Republikën e Kosovës, i cili sipas Konkluzave të Konferencës Rajonale  Radiokomunikuese të ITU-së duhet të përfundojë deri më 17 qershor 2015. Në projektligj përcaktohen kushtet për zbatimin e transmetimeve radiodifuzive tokësore digjitale dhe përcakton të drejtat dhe obligimet e operatorëve të rrjetave dhe ofruesve të shërbimeve mediale.

 Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë për normën e akcizës për veturat e importuara sipas viteve të amortizimit dhe fuqisë motorike.

 Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, ka njoftuar kabinetin qeveritar për vizitën në Kroaci dhe takimet e zhvilluara me ministrin e Mbrojtjes të Kroacisë si dhe me presidenten kroate, Kolinda Grabar Kitaroviq.

 Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ka informuar për vizitën në Turqi dhe pjesëmarrjen në konferencën ndërkombëtare për ndryshimet klimatike.

 Ministri Agani ka njohur kabinetin qeveritar edhe për gjendjen e krijuar nga vërshimet në Komunën e Vitisë dhe nevojën e një aksioni të koordinuar për tejkalimin e gjendjes.

Previous articleKryeparlamentari Kadri Veseli kërkon që Izraeli ta njohë Kosovën
Next articleMinistrja Edita Tahiri po qëndron në Bruksel