Home LAJME U mbajt mbledhja e tridhjetë e dytë e Qeverisë së Kosovës

U mbajt mbledhja e tridhjetë e dytë e Qeverisë së Kosovës

E drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e sajt të 32-të, ku ka miratuar vendime, dokumente dhe politika të përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.

 

Vendimi i parë i miratuar në mbledhjen e sotme ka qenë për përgatitjen e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim. Sipas vendimit, kryeministri do të udhëheq procesin e hartimit të  Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit. Strategjia përbëhet prej masave specifike dhe relevante me treguesit e nivelit të lartë të përzgjedhur për matjen e progresit drejt arritjes së qëllimit. Strategjia mbulon periudhën gjashtëvjeçare dhe mund t’i nënshtrohet ndryshimeve në kuadër të vlerësimeve dyvjeçare. Zyra për Planifikim Strategjik, në kuadër të Zyrës së  Kryeministrit do të propozojë një kalendar të detajuar lidhur me këtë  proces, duke përfshirë edhe konsultimin me grupet e interesit. Do të krijohen grupe punuese ndërinstitucionale për të shqyrtuar propozimet dhe për të bërë  ndryshime dhe ofruar alternativa.

Kryeministri Isa Mustafa ka vlerësuar se ky dokument është një nga dokumentet e parapara me Programin Qeverisës dhe është angazhuar për përfundimin e tij në afatin e zotuar.

 

Qeveria e Republikës së Kosovës ka shqyrtuar dhe miratuar Projektligjin për faljen e borxheve publike. Qëllimi i këtij Projektligji është falja e borxheve publike ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike, si dhe përcaktimi i kritereve dhe procedurave për faljen e këtyre borxheve të personave fizikë dhe juridik, deri më 31 dhjetor 2008.

Kryeministri Isa Mustafa theksoi se kjo iniciativë e trajtuar nga Qeveria është një veprim shumë i arsyeshëm, e cila nuk ka për qëllim të amnistojë ata që nuk i kanë përmbush obligimet, qoftë obligime tatimore, qoftë obligimet për shërbimet publike, por në rend të parë ka të bëjë me politikat e Qeverisë, në mënyrë që të pastrohen llogaritë e kompanive publike dhe llogaritë e buxhetit dhe të mos mbahen evidenca e kërkesa të cilat janë të kontestueshme dhe janë të pa arkëtueshme për një periudhë të gjatë kohore. “Ka të bëjë po ashtu edhe me masat për rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe stimulimit të tyre apo nxitjes së tyre që ata t’i përmbushin obligimet tatimore dhe obligimet tjera ndaj shërbimeve publike, për periudhën prej 1 janarit 2009 dhe deri më tani. Kështu që, do t’i kontribuoj edhe rritjes së buxhetit dhe pastaj krijimit të një disipline krejt tjetër të qytetarëve për përmbushjen e detyrimeve ndaj kompanive publike dhe detyrimeve ndaj buxhetit”, theksoi kryeministri Isa Mustafa.

 

Kabineti qeveritar ka miratuar Rregulloren për koordinimin e asistencës së donatorëve të jashtëm më Republikën e Kosovës. Rregullorja ka për qëllim organizimin funksional të strukturave dhe aktiviteteve për koordinim të donatorëve të jashtëm në Republikën e Kosovës. 

 

Është miratuar politika qeveritare për ujërat. Politika e qeverisë ka për qëllim zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e shëndetit publik të qytetarëve të Kosovës, dhe që ata të kenë qasje të vazhdueshme dhe të pakufizuar në furnizimin me ujë.

 

Qëllimi kryesor i Strategjisë për përmirësimin e Planifikimit dhe Koordinimit të Politikave, që është aprovuar sot nga kabineti qeveritar, është evitimi i fragmentarizmit dhe dyfishimit të proceseve qendrore të planifikimit të politikave dhe financave. Fokusi kryesor është në dy kornizat qendrore:

 

–           Korniza e Planifikimit Strategjik, dhe

–           Korniza e planifikimit buxhetor.

 

Në mbledhjen e sotme është aprovuar nisma e Ministrisë së Financave për arritjen e marrëveshjes ndërkombëtare për negocimin e kredisë me institucionet ndërkombëtare financiare për rehabilitimin  e Hekurudhave ne Kosovë.

 

Edhe nisma e Ministrisë së Financave për marrëveshje ndërkombëtare për Masat e Efiçencës në Energji për nivelin komunal, ka marrë aprovimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme.

 

Qeveria ka aprovuar edhe Planin Vjetor të Statistikave Zyrtare për vitin 2016, i cili përcakton prioritetet strategjike:

1.         Fuqizimin e planifikimit në Agjencionin e Statistikave;

2.         Themelimin e një dialogu sistematik me përdoruesit e statistikave;

3.         Fuqizimi i teknologjisë informative;

4.         Zbatimi i metodologjisë së dokumentimit dhe proceseve të prodhimit të statistikave.

 

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimet përfundimtare të shpronësimeve për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit për pronat që preken nga ndërtimi i autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, Rrugës nacionale Prishtinë-Pejë dhe rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë.

 

Është aprovuar kërkesa e Këshillit Organizativ për rivarrimin e eshtrave të Heroit Kombëtar Isa Boletini për ndarjen e mjeteve financiare për mbulimin e shpenzimeve të këtij aktiviteti. Shuma e ndarë për këtë qëllim është në vlerë prej 50 mijë euro.

 

Qeveria, gjithashtu ka ndarë 25 mijë euro, për ri funksionalizimin e pompave për furnizim me ujin e pijshëm për disa fshatra të Komunës së Zveçanit dhe 10 mijë euro i ndahen organizatës joqeveritare ‘Ballkan Sunflowers’ për zgjerimin e hapësirave për mësim të fëmijëve të komunitetit rom.

 

Në mbledhjen e sotme është aprovuar edhe vendimi për emërimin e Bajram Bujupit në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Sprovues të Kosovës, me mandat pesë vjeçar.

 

Me propozimin e ministres së Tregtisë dhe Industrisë, është aprovuar vendimi për themelimin komisionit disiplinor për shqyrtimin e përgjegjësisë së sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

 

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka informuar kabinetin qeveritar me përgatitjet që janë bërë për zhvillimin e testit të maturës në Kosovë, më 6 qershor.

 

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq, ka informuar kabinetin qeveritar për takimin e parë të Grupit Ndërministror për Kthim, që do të zhvillohet sot.

Previous articleBashkimi Evropian kërkon të mos vonohet votimi për Specialen
Next articlePodujevë:FAO mbështet planet menaxhuese për pyjet