Home Uncategorized U shënua Dita Evropiane e Vetëdijesimit për Antibiotikë

U shënua Dita Evropiane e Vetëdijesimit për Antibiotikë

Prishtinë – Me moton: “Të gjithë jemi përgjegjës”, sot në Prishtinë u shënua Dita Evropiane e Vetëdijesimit për Antibiotikë, një nismë kjo që në Kosovë shënohet prej disa viteve, ndërsa prej këtij viti, kjo nismë ka karakter global, me që e njëjta shënohet edhe nga SHBA-të, Kanadaja dhe Australia.

Me qëllim të ngritjes së vetëdijes për përdorim racional të antibiotikëve dhe shënimit të kësaj nisme, sot në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike u mbajt një tryezë kushtuar Ditës Evropiane të Vetëdijesimit për Antibiotikë, në të cilën profesionistë shëndetësor biseduam për parandalimin e kontrollit jo racional të antibiotikëve, që për pasojë shkakton rritjen e rezistencës anti-mikrobiale.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, tha se antibiotikët kanë shpëtuar milionë jetë në botë dhe ata paraqesin një dimension të rëndësishëm të terapisë që japin profesionistët shëndetësor, por, theksoi se vëmendja e profesionistëve duhet të përqendrohet në përdorimin racional të tyre, në mënyrë që të mos arrihen efektet e kundërta të përdorimit të tyre dhe të krijojnë rezistencë mikrobiale.

Ministri Agani tha se MSh ndan një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të saj për barna për të mbuluar me antibiotikë nevojat e pacientëve kosovarë, ndërsa theksoi se MSH, në bashkëpunim me AKPM-në është shumë e interesuar që të vendos edhe farmako-vigjilencën, përkatësisht raportimin e efekteve anësore të përdorimit të tyre.

Drejtori ekzekutiv i IKSHP-së, Naser Ramadani, tha se  “antibiotikët kanë shpëtuar jetë në historinë e njerëzit, por, shpesh herë ata kanë shkaktuar edhe situata të vështira, për shkak të përdorimit jo-racional të tyre.

Dr. Lul Raka,  mikrobiolog në IKSHP dhe Koordinator i Ministrisë së Shëndetësisë për Rezistencën Antimikrobike dhe Infeksionet Spitalore, bëri një prezantim gjithëpërfshirës  lidhur me përdorimin dhe keqpërdorimin e antibiotikëve në Kosovë. Ai tha se është viti i pestë me radhë që Kosova shënon Ditën Evropiane të Vetëdijesimit për Antibiotikë, por krahas të mirave që i ka sjellë shëndetit përdorimi i antibiotikëve, rreziku që sot i kanoset shëndetësisë së krejt botës është rritja e rezistencës antimikrobiale.

Në këtë aspekt, ai theksoi se lufta sot bëhet për të menaxhuar bakteret të cilat janë një hap para mjekësisë, ndërsa në këtë aspekt, duhet punuar në ndërgjegjësimin e publikut dhe personelit shëndetësor për përdorim racional të antibiotikëve, duhet ndaluar vetëmjekimin që aplikohet nga qytetarët të cilët përdorim antibiotikë pa përshkrim të mjekut.

Dr. Raka, tërhoqi vëmendjen për përdorim të lartë të antibiotikëve në Kosovë, ku sipas tij, Kosova radhitet në mesin e dhjetë vendeve të Evropës për përdorim të lartë të antibiotikëve, dhe se shkalla e marrjes së antibiotikëve pa recetë në Kosovë është 25 për qind, krahasuar më vendet e BE-së ku kjo shkallë është 3 për qind.

Megjithatë, dr. Raka tha se në Kosovë janë bërë hapa të mirë  me krijimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për rezistencën anti-mikrobiale 2011-2015 dhe mekanizmave të tjerë për kontrollimin e infeksioneve brenda spitalor si dhe angazhimet si rezultat i të cilave është fituar edhe “Call Granti” 2012 nga Komisioni Evropian  për mbikëqyrjen e përdorimit dhe rezistencës ndaj antibiotikëve.

Në shënim u promovua edhe broshura: Përdorimi i sigurt i barnave”, i hartuar nga Agjensioni Kosovar për Pajisje dhe Produkte Mjekësore dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë-Zyra në Prishtinë. /RadioRINIA/

Previous articleTask Forca për mbështetjen e Shërbimit Korrektues
Next articleFëmijët vizitojnë Gjykatën dhe takohen me kryetarin Zyhdi Haziri