Home LAJME Uji pamundëson riparimin e tri urave të rrëzuara në Podujevë

Uji pamundëson riparimin e tri urave të rrëzuara në Podujevë

Dëmtimet më të renda në infrastrukturë publike, nga vërshimet e fundit që përfshinë vendin, konsiderohen të jenë edhe tri urat dhe dëmtimi i shtatë të tjerave në komunën e Podujevës.

Këto dëmtime, po vazhdojnë të vështirësojnë qarkullimin e banorëve.

E për shkak të nivelit të madh të ujit që ende po vazhdon të jetë, komunës së Podujevës po i pamundësohet riparimi dhe kthimi në gjendje të rregullt të këtyre urave.

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi, i cili ka qëndruar gjatë ditës së sotme në terren, bashkë me ekipin komunalë kanë bërë vlerësimin e gjendjes, dhe kanë shikuar nga afër vazhdimin e punimeve që janë duke u bërë për sanimin e gjendjes.

“Inxhinierët e Komunës kanë dalë në terren dhe kanë regjistruar gjendjen. Komuna nuk synon të ndërtojë ura të improvizuara, por të bëjë zgjidhje afatgjate, pavarësisht kostos më të lartë financiare të tyre”, ka thënë Muçiqi.

Ai ka bërë të ditur, se gjatë vërshimeve është dëmtuar edhe një shtëpi banimi në fshatin Tërnavë, për të cilën komisioni ka konstatuar se ajo tashmë është e pabanueshme, kurse familja është strehuar tek të afërmit.

Ndërsa kompania e cila është duke u marrë me sanimin e gjendjes, gjatë ditës së sotme ka qenë duke punuar në riparimin e rrugës Popovë – Segashë, kurse gjatë fundjavës, sipas Muçiqit do të intervenohet edhe në Zhiti.

“Krahas rregullimit të rrugëve të dëmtuara nga vërshimet, në disa vende është duke u intervenuar edhe në rregullimin e shtretërve të lumenjve”, tha drejtori Muçiqi.

Ai po ashtu ka theksuar se nga këto zona, gjendja është duke u normalizuar.

Previous articleUji “Prolom” të mos reklamohet si shërues, duhen dëshmi për këtë
Next articleVesa Luma mbështetet nga mediet holandeze