Home LAJME UP s’regjistron studentët e mbetur nga listat e kategorive të luftës

UP s’regjistron studentët e mbetur nga listat e kategorive të luftës

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, e ka qartësuar se nuk do të ketë tash dhe as në vitet e ardhshme regjistrime të studentëve të bazuar në dokumentet e kaluara.

Rektori ka thënë se Ministri Arsim Bajrami e ka respektuar autonominë e UP’së dhe ka vendosur të mos përzihet në vendimet e UP’së, derisa ka konfirmuar se studentët e kategorive të luftës do të përfitojnë vetëm lirim nga pagesa e semestrit dhe e konviktit.

“Universiteti i Prishtinës mbetet i përkushtuar që, në koordinim me Qeverinë dhe me Ministrinë e Arsimit, të Shkencës dhe Teknologjisë, t’i zbatojë të gjitha obligimet ndaj kategorive të luftës që dalin nga legjislacioni i Kosovës, siç është lirimi nga pagesa e semestrit dhe e konviktit, dhënia e përparësisë me rastin e regjistrimit në kushte të barabarta”, ka shkruar Rektori në njoftimin dërguar shoqatave të dala nga lufta.

Ai ka njoftuar se

Shkresa e dërguar shoqatave të dala nga Lufta e UÇK-së

Të nderuar z. Elezaj, z. Jashari dhe z. Shurdhaj,

Me këtë shkresë Ju njoftojmë se Universiteti i Prishtinës tërhiqet nga Memorandumi i Bashkëpunimit me OVL të UÇK, SHFD të UÇK dhe SHIL të UÇK, i nënshkruar më 30 shtator 2009. Këtë veprim e marrim sepse kjo fushë tanimë është e rregulluar në masë të mjaftueshme me ligjet e Kosovës, në veçanti me Ligjin nr. 04/l-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyre dhe Ligjin Nr. 04/L-261 për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe do të vazhdojë të rregullohet në të ardhmen me akte nënligjore përkatëse.

Një arsye tjetër për tërheqje nga Memorandumi janë keqkuptimet në interpretimin e karakterit të tij dhe të obligimeve të palëve që dalin nga ky dokument. Ky është një dokument mirëkuptimi me të cilin Universiteti ka shprehur vullnetin e mirë që të ofrojë lehtësi për kategoritë e dala nga lufta me rastin e regjistrimit dhe gjatë studimeve. Ndërkaq vetë Memorandumi nuk përcakton asnjë modalitet konkret të jetësimit të këtij vullneti të mirë dhe, si ti tillë, nuk paraqet obligim ligjor për palët nënshkruese.

Siç dihet, në vitin akademik 2014/15 Universiteti i Prishtinës ka ofruar lehtësi për regjistrimin e studentëve nga kategoritë e luftës. Me vendimin e Senatit të Universitetit të dt. 16.10.2014 janë pranuar në studime baçelor të gjithë kandidatët nga familjet e dëshmorëve që kanë arritur pragun minimal të kalueshmërisë në afatin e parë të konkursit, gjithsej 79 studentë. Ndërkaq, në afatin e dytë të konkursit, Senati i Universitetit ka vendosur që t’u jipen nga 5 pikë bonus të gjithë kandidatëve nga familjet e dëshmorëve dhe 50 kandidatë janë regjistruar duke e shfrytëzuar këtë privilegj.

Kërkesat që janë shtruar deri tani, për regjistrimin e të paktën 1,050 kandidatëve që ndodhen në listat e shoqatave të dala nga lufta, bazohen në një praktikë 4-vjeçare, e jo në përmbajtjen ose në karakterin obligues të Memorandumit. Rrjedhimisht Universiteti i Prishtinës nuk do të marrë obligim që në të ardhmen të regjistrojë studentë sipas këtij dokumenti.

Për të gjitha këto çështje kemi komunikuar me shkrim me ministrin e arsimit, të shkencës dhe teknologjisë, prof.dr. Arsim Bajrami, i cili, duke respektuar autonominë e Universitetit, ka kërkuar nga ne që t’ju informojmë zyrtarisht për qëndrimin tonë.

Na lejoni t’ju njoftojmë se jemi duke zhvilluar një program të veçantë për përkrahjen e kandidatëve që u takojnë kategorive të luftës dhe dëshirojnë të regjistrohen në Universitetin e Prishtinës. Ky program nënkupton ofrimin e ndihmës për përgatitjen e kandidatëve për provimin shtetëror të maturës dhe provimin pranues, si dhe këshillimin akademik gjatë studimeve. Pa dyshim, në këtë program mund të përfshihen edhe kandidatët të cilët nuk kanë arritur të regjistrohen këtë vit në Universitetin e Prishtinës. Besojmë se një program i tillë, i përgatitur mirë dhe i zbatuar me kujdesin e duhur, do të ketë efekte pozitive afatgjata dhe është në frymën e ligjeve dhe vlerave të luftës.

Universiteti i Prishtinës mbetet i përkushtuar që, në koordinim me Qeverinë dhe me Ministrinë e Arsimit, të Shkencës dhe Teknologjisë, t’i zbatojë të gjitha obligimet ndaj kategorive të luftës që dalin nga legjislacioni i Kosovës, siç është lirimi nga pagesa e semestrit dhe e konviktit, dhënia e përparësisë me rastin e regjistrimit në kushte të barabarta.

Me respekt,

Prof. Dr. Ramadan Zejnullahu

Rektor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”

Previous articleSteinmeier përgëzon Thaçin për arritjet e Kosovës
Next articleMustafa: Të zbuten fjalët, të ulen gjakrat