Home Uncategorized “VARG E VI” I SOLLI ARTISTËT E “HOLLYWOOD”-IT DHE TË “OSCAR”-IT

“VARG E VI” I SOLLI ARTISTËT E “HOLLYWOOD”-IT DHE TË “OSCAR”-IT

VargEvi_VXh-0430Gjilan – Qendra e Artit Bashkëkohor “Varg e Vi” në bashkëpunim edhe me aktivisten e dalluar nga shoqëria civile të Gjilanit, Liza Gashi, kanë organizuar bashkëbisedimin me aktorin holliwood-ian, Mike Dusi, shqiptaro-amerikan dhe me Robert Budinën nga Tirana, regjisorin shqiptar që prêt “Oscar”-in për filmin “Agoni”.

Tema e bashkëbisedimit është përkufizuar me titull: “TREGIME DHE MUNDËSI”. Ka disa që rrëfejnë dhe në tregimet e tyre mund të gjinden mundësi të reja, inspirime dhe mund të ndahen si tregime të rëndësishme të suksesit individual e grupor. Disa aktorë dhe regjisorë që depërtojnë në skena të njohura botërore të “Hollywood”-it dhe të tjerë që nominohen për çmime prestigjioze si “Oscar”, kanë çfarë të rrëfejnë, nxisin vëmendje dhe kanë gjasa të ofrojnë më shumë mundësi për të gjetur shtigje të reja të bashkëpunimit të artistëve të vendit tonë me producentë të huaj dhe me shtëpi kinematografike të mirëpritura. Sidomos për vendet tona që kanë resurse njerëzore, por me mundësi të vogla për të qarkulluar në hapësira ndërveprimi global në fushën e artit. Të tjerët duke treguar për mundësitë, mund të na shumëzojnë tregimet tona dhe të na shtojnë mundësitë e reja.

“Ka shumë mundësi për të bërë rrugëtim ndërkombëtar, filmat tanë nga bota shqiptare. Kosovarët janë duke u shquar për filmat e shkurtër dhe që kanë vlera të jashtëzakonshme artistike. Ne duhet të promovojmë vlerat tona dhe të shfaqim origjinalitetin tonë. Kemi marrë kritika shumë të mira dhe shpresojmë të arrijmë rezultate me filmin “Agoni”. Më pëlqen më shumë puna se si bëhet arti në SHBA, ndonëse edhe sistemi evropian i të të bërit film është i mirë, por atje në SHBA bëhet një punë më dinamike dhe e lidhur më shumë me logjikën e tregut “ – është shprehur para shumë artdashësve regjisori Budina, i cili me prejardhje vjen nga Korça, por që jeton dhe vepron në Tiranë.

Ndërsa Mike Dusi (Mikel Dushi), i cili nga picamen u bë aktor i popullarizaur me filmin “Mikeyboy” që u shfaq edhe në Nju Jork, ishte mjaft interaktiv me publikun, duke nxitur edhe të qeshura me të folurit e tij shqip, një shqipe të mirë sa për t’u kuptuar dhe me theks amerikan. “Së pari, ju duhet të keni një qëllim. Për ta ndjekur atë qëllim ju duhet kohë, kontakte, të bëni projekte dhe të gjitha këto t’i ndjekni deri në fund. Ju duhet t’i ndjekni ëndërrat tuaja. Ju duhet të keni qëllim dhe ta keni këmbnguljen deri në fund për t’i arritur gjërat. Nuk duhet pritur gjërat të ndodhin shumë shpejtë. Bëni gjërat që ju do zemra dhe shpirti. Unë nga picamen, kalova në aktrim. Nuk kisha ndonjë shkollim për këtë gjë, por shkollimi i vetëm ishte të bëja diçka që e kisha këtu brenda meje, brenda zemrës” – u shpreh aktori amerikano-shqiptar, i cili prindërit i kishte nga Gjakova dhe Mirëdita, dhe që kishin shkuar që moti në SHBA.

Në fund, pjesëmarrësit kanë bërë pyetje rreth bërjes së tregimeve të tyre filma, bashkëpunimin me producentë të huaj, sfidat e suksesit kinematografik për “Oscar” e të ngjashme.

Qendra e Artit Bashkëkohor “Varg e Vi” do të vazhdojë me projektet e tjera të radhës, ku do të ketë pjesëmarrës nga fushat e ndryshme të artit bashkëkohor dhe do të sjellë edhe artistë tjerë të njohur vendorë e të huaj! /RadioRINIA/

Previous articleMinistri Agani u prit në Tiranë nga homologu Ilir Beqja
Next articleSchlumberger: mirëpret zgjedhjet e suksesshme në Kosovë