Kompania Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”, ka njoftuar qytetarët të cilët furnizohen me ujë nga liqeni i Batllavës dhe i Badocit, që uji i cili lëshohet nga ujësjellësi, gjithmonë është i pijshëm.
Sa i përket rezultateve të Institutit Kombëtarë të Shëndetit Publik, kryeshefi ekzekutiv i ujësjellësi, Gjelosh Vataj, ka shtuar se, rezultati i cili ka dal nga ta ka qenë vetëm për datën 21, duke thënë se rezultati ka qenë i saktë, ndërsa uji ka qenë brenda standardeve të lejueshme për tu pirë.
Vataj, ka thënë se ai rezultat ishte i gjendjes momentale dhe ka mundur të ketë turbullira, por ka qenë i pijshëm, duke shtuar se në fabrikë asnjëherë nuk guxon të lëshohet ujë nëse nuk është i pijshëm.
“Edhe instituti e thotë që uji është brenda normave të lejuara, por ka qenë në nivelet afër asaj që mos të pihet. Në një moment për shkak të ndërprerjes në gypa, për shkak të ndërprerjes së ujit, ka ndodh në disa vende që ka qenë momentale që ka pas turbullira, dhe uji në atë moment ka mundur me ardhur i turbullt dhe nuk ka qenë që nuk është i pijshëm, se i ka disa norma deri kur lejohet me u pi uji. Ne gjithmonë kemi bashkëpunim me institutin, ne kemi reaguar që të sqarohen qytetarët për dje jo për datën 21 sepse me datë 21 ne kemi qenë në teren komplet stafi i ujësjellësit të Prishtinës, kemi bërë pastrimin e rezervarëve dhe shpëlarje të rrjetave”, ka shtuar Vataj.
Kryeshefi ekzekutiv i Ujësjellësit, ka shtuar se menjëherë pas reshjeve që kanë filluar në Kosovë, ka pasur ngritje të ujit në liqenin e Batllavës dhe Badocit.
Sipas tij, pas ngritjeve të nivelit të ujit në liqe, janë krijuar turbullira në liqenin e Batllavës dhe Badocit, dhe me qëllim të ruajtjes së kualitetit të ujit, sipas tij, është dashur që ta zvogëlojnë prodhimin nga 500 litra ujë në sekondë në Batllavë janë detyruar të punojnë me 350 litra ujë në sekondë, ndërsa në Badoc nga 250 litra ujë në sekondë në 150 litra ujë në sekondë.
“Sot niveli në liqenin e Batllavës është 629 metër laturis mbidetare. Maksimalja është 635, pra i kemi edhe 6 metra për mu mbush liqeni i Batllavës. Shpresoj që do të mbërrijë ky nivel maksimal.
Sa i përket liqenit të Badocit, niveli maksimal ka qenë 636 metër lartësi mbidetare, kjo ka ndodh me 16. 4. 2014, realisht liqeni i Badocit ka qenë në një situatë pak më të mirë, jo si Batllava, sepse ne e kemi leshu gypin për mu mbushur nga liqeni i Ujëmanit. E keni parë nëpër media ka qenë disa here ajo na ka dhënë siguri më të madhe që ne liqenin mund ta shfrytëzojmë më shumë se që kemi shfrytëzuar”, ka shtuar Vataj.
Vataj, ka treguar edhe cilat janë qytetet dhe lagjet të cilat janë prekur më së shumti nga reduktimet e ujit. Ai ka thënë se do të bëjnë të pamundurën që këto lagje të kenë brenda 24 orëve ujë të pijs hëm.
“Janë Prishtina, Podujeva, Kastrioti, Fushë Kosova, nga Batllava, ndërsa nga Badoci është Prek Prishtina dhe Graqanica, si qytetet ndërsa si lagje janë prekur, lagjja e Arbërisë, ose ish Dragodani, Kodra e Trimave, qendra e qytetit, Dardania, Lakrishta, Pejtoni, Kalabria, zona industriale, fshati Shkabaj, janë ataku me mungesë të ujit jo me kualitet të dobët të ujit. Ndërsa, nga Badoci, janë prekur lagjja Bregu i Diellit, Mati, Sofalia, Tasligjja, Kolovita, Ulpiana, lagjja e Spitalit, Veterriku, Miradi e Epërme në Fushë Kosovë”, ka theksuar Vataj.
Ndryshe, në këto lagje ujë do të ketë në mëngjes nga ora 6:00 deri në orën 9:00 ose 10:00, dhe pasdite nga ora 14:00 deri në orën 20:00 ose 21:00.
Vataj, ka pohuar se problemi i furnizimit me ujë në Komunën e Prishtinës do të zgjidhet në qershor të vitit 2016, kur edhe do të ndërtohet fabrika e re e ujit në fshatin Shkabaj.