Home LAJME Vërshimet vazhdojnë, Podujeva mbetet pa ujë të pijshëm (Foto)

Vërshimet vazhdojnë, Podujeva mbetet pa ujë të pijshëm (Foto)

Shumë fshatra të komunës së Podujevës edhe të dielën vazhdojnë të jenë të përfshira nga vërshimet, kurse ekipet emergjente jenë në terren për të intervenuar. Shqetësues është fakti se Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” ka ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm për tërë territorin e Komunës së Podujevës.

Për të analizuar gjendjen e krijuar si pasojë e vërshimeve që kanë përfshirë disa fshatra të Komunës së Podujevës, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit në Komunën e Podujevës, Faik Muçiqi, ka mbajtur një takim me drejtuesit njësive të kompanive publike në Podujevë, Ujësjellësit “Prishtina”, KEDS-it, KRM “Pastrimi” dhe me ekipet emergjente

Sipas raporteve të prezantuara nga terreni, vazhdojnë të jenë të vërshuara sipërfaqe të shumta në zona të ndryshme të komunës.

Raportohet se si pasojë e vëllimit të madh të ujit është e rrezikuar ura mbi lumin Llap në fshatin Lupç, kurse uji ka vërshuar toka bujqësore, duke shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi.

Gjatë ditës së djeshme, si pasojë e rrezikimit të disa shtëpive, janë evakuuar katër familje në fshatrat Bellopojë, Tërnavë dhe Sharban.

Ekipet emergjente vazhdojnë të jenë mobile për të intervenuar aty ku paraqitet nevoja.

Është kërkuar nga KEDS-i furnizim i rregullt me energji elektrike dhe mbikëqyrje e vazhdueshme e rrjetit të furnizimit, për shkak të rrezikut që paraqet ai, si pasojë e vjetërsisë.

Menaxheri i Njësisë së Ujësjellësit “Prishtina”, Osman Osmani, tha se për shkak të ndërprerjes së prodhimit të ujit në fabrikën për përpunimin e ujit, si pasojë e ndotjes së ujit në Liqenin e Batllavës dhe të puseve në Peran, Ujësjellësi “Prishtina” ka ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm për qytetin dhe fshatrat e Komunë së Podujevës.

I ndotur është edhe uji nëpër shumë puse familjare, prandaj apelohet te qytetarët që të mos përdorin për pije ujin, pa e valuar atë.

Gjithashtu u kërkua që ekipet e ujësjellësit të angazhohen në mirëmbajtjen dhe debllokimin e rrjetit të kanalizimeve.

Nga kompania “Pastrimi” u kërkua që të jenë më azhur në shërbimet e tyre, duke bërë largimin e mbeturinave të grumbulluara nëpër rrugë si pasojë e vërshimeve dhe me të përfunduar të reshurat të bëjnë pastrimin e rrugëve të qytetit.

Previous articleGeci: Të bashkohemi, e ta mundim Thaçin
Next articleBuzhala: Plas Jakup, Ardianin do ta bëjmë kryetar të Kuvendit