Home LAJME VV shpall programin social, u merret të pasurve për të varfrit

VV shpall programin social, u merret të pasurve për të varfrit

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, bashkë me Visar Ymerin, Dardan Sejdiun e Besnik Bislimin kanë dalë në një konferencë ku kanë treguar se si e sheh kjo parti politikën tatimore.

Aty është thënë se Vetëvendosje i bazon politikat fiskale në parimet e drejtësisë dhe barazisë në tatime dhe shpërndarje.

“Politikat fiskale duhet t’i drejtojmë kah stimulimi i prodhimit, investimit e krijimit të vendeve të punës. Ato duhet ta bëjnë balancimin e barrës së financimit të buxhetit, në bazë të të mirave që qytetarët përfitojnë nga paratë publike”.

Përmes një njoftimi për shtyp, është thënë se Vetëvendosje beson se tatimi duhet të jetë progresiv duke rritur të hyrat nga tatimet në të ardhura. Ky nivel progresiv i tatimeve do të zbatohet në vite për të siguruar tranzicionin e nevojshëm të mbledhjes së të hyrave.

“Kështu sigurohemi se shtresa e varfër dhe e mesme do të paguajnë më pak tatime në qeverisjen e Vetëvendosjes. E, shtresa e pasur do të kontribuojë më shumë drejt zhvillimit të vendit, në përputhje me të mirat që i gëzon nga shoqëria.

Ne do ta njehsojmë pagën minimale. Nivelet e tatimit do të lidhen me pagën minimale. Progresioni i tatimeve fillon prej 0% për pagën minimale, në 5% për trefishin e pagës minimale, 10% për pesëfishin e pagës minimale, 20% për dhjetëfishin, dhe 30% për njëzetëfishin e pagës minimale e tutje. Ndërsa taksa korporative do të ketë margjinat e barabarta me taksën mbi të ardhurat”.

Skema aktuale tatimore dhe e qeverisjes së VETËVENDOSJE!-s

Aktualisht skema tatimore për pagat 80-250 Euro, paguhen 4% tatim në të ardhura personale. Nëse Vetëvendosje vjen në pushtet, për pagat 0-170 euro, tatimi në të ardhura duhet të jetë 0%. Për pagat 250-450 euro, aktualisht paguhen 8% tatim në të ardhura personale, ndërsa Vetëvendosje thotës e për paga nga 170-500 euro, tatimi në të ardhura duhet të jetë 5%. Kurse për pagat mbi 450 Euro, paguhen 10% tatim në të ardhura personale, ndërsa sipas VV-së, për pagat 500-850 euro, tatimi në të ardhura duhet të jetë 10%. E vetëvendosje mendon të tatojë me 20 % pagat nga 850-1700 euro, kurse ato që janë mbi 1700 euro, tatimi në të ardhura të jetë 30%.

Sipas VV-së, Bashkimi Evropian lejon dhe rekomandon disa nivele të Tatimit në Vlerë të Shtuar. Duke marrë parasysh gjendjen e rëndë ekonomike e sociale në vend, qeverisja jonë do të implementojë shkallëzimin e Tatimit në Vlerë të Shtuar në Kosovë në tri nivele.

“TVSH do të jetë e përjashtuar për prodhimet ushqimore bazë të jetës në Kosovë, pra për bukë, vaj, kripë, sheqer, qumësht, miell e libra. Ndërsa produktet që konsiderohen si më luksoze do të rriten deri në shkallë prej 20 për qind, në nivel me shumë shtete të BE-së. TVSH është tatim në konsum, me të shpërblehet apo ndëshkohet një aktivitet i caktuar. Ne do ta përdorim për të stimuluar apo destimuluar aktivitete të caktuara. Qeverisja jonë do të largojë TVSH-në në arsim, si dhe do të lehtësojë nga TVSH të gjitha aktivitetet arsimore me interes për shoqërinë”.

Kosova ka një shkallë prej 10 për qind tatimi në fitim. Vetëvendosje thotë se tatimi në fitim do të rivlerësohet.

“Kjo politikë tatimore do të përdoret nga qevrisja jonë për të stimuluar hapjen e vendeve të reja të punës. Me shkallëzimin Qeveria jonë do të ofrojë lehtësime tatimore për investimet që synojnë aktivitete prodhuese dhe hapjen e vendeve të punës. Çdo kompani që dëshmon riiinvestimin e fitimit për hapjen e vendeve të reja të punës, sidomos në prodhim, do të lirohet nga tatimi në fitim”.
Vetëvendosje thotë se edhe tatimi në pronë do të rivlerësohet për të balancuar barrën e tatimit në mes të popullatës sipas të mirave që përfitojnë nga shoqëria si dhe duke marrë parasysh nevojën e Kosovës për të punuar tokat bujqësore. Si rrjedhim, tokat e papunuara do të tatohen më lart.

“Kjo do të bëhet me qëllim të motivimit për ta punuar tokën”, thotë Vetëvendosje.

Nëse Vetëvendosje do të qeveriste, thotë se përpos masave institucionale për luftimin e informalitetit, si metodë tjetër për forcimin e raporteve në marrëdhëniet e punës parasheh subvencionimin progresiv tatimor për punëdhënësit që punësojnë punëtorë të rinj dhe ata ekzistues, sipas numrit dhe statusit të ndërmarrjes sipas kësaj shkalle: Nga 1 deri 10 të punësuar – 1% të lirimit në tatime për çdo të punësuar; Nga 11 deri 50 të punësuar – 0,5% lirimit në tatime për çdo të punësuar; Mbi 51 deri 200 të punësuar – 0,3% lirimit në tatime për çdo të punësuar; Mbi 200 të punësuar – 0,1% lirimit në tatime për çdo të punësuar.

Previous article“Stresi” kërcënon MC Kreshen
Next articleLabi nuk ka kohë për dasma