Sëmundjet dhe gjendjet e ndryshme shëndetësore nuk i kursejnë as të famshmit dhe të pasurit. Telegrafi ju sjell disa nga yjet e njohura që jetojnë me sëmundjet e tyre të pashërueshme.
Pamela Anderson: Hepatit C
Në vitin 2002, Pamela Anderson njoftoi se kishte Hepatit C dhe se ishte infektuar gjatë kohës kur po bënte tatuazh me të njëjtën gjilpërë me ish-burrin e saj, Tommy Lee. Hepatiti C (non-A, non B) është një infeksion virusal që nuk ka mjekim. Zakonisht nuk jep shumë simptoma të rënda, mirëpo nëse kalon në formën kronike mund ta dëmtojë mëlçinë duke shkaktuar cirrozën hepatike.
Missy Elliot: Sëmundja Graves-Basedow
Ka një arsye pse Missy Elliot u tërhoq për një periudhë nga skena. Ajo ka luftuar me një gjendje mjaft serioze – sëmundjen Graves-Basedow (hipertireozën). Është një çrregullim autoimun (organizmi e sulmon vetveten) që përfshin gjëndrën tiroide, e cila prodhon sasi të mëdha të hormoneve të saj dhe në këtë mënyrë nxit shfaqjen e simptomave dhe shenjave, si shqetësim, lodhje, tremor (dridhje të gishtave dhe gjuhës), ekzoftalmus (dalje e syve), nxehje të lëkurës, rritje të gushës etj. Terapia ndaj kësaj sëmundjeje është simptomatike dhe duket se po i ndihmon këngëtares që të jetojë me këtë gjendje.
David Beckham: Çrregullim obsesivo-kompulsiv dhe sindromën Tourette
Edhe pse fanset e shumta e tij e konsiderojnë të përsosur, ish-ylli anglez i futbollit është diagnostikuar me çrregullim obsesivo-kompulsiv (përsëritjen e gjërave në mënyrë që të largohet ankthi) dhe sindromën Tourette (çrregullim psikik që karakterizohet me tiqe të ndryshme). Ai gjithmonë i rregullon gjërat ose i bën dyshe, ndërsa kur qëndron në hotele, duhet t’i largojë të gjitha librat dhe broshurat në një sirtar dhe pastaj ndihet i qetë.
Shannen Doherty: Sëmundja Crohn
Në vitin 1999 aktorja e njohur nga kult seriali “Beverly Hills, 90210”, njoftoi se vuante nga sëmundja Crohn (enteriti regjional) – sëmundje autoimune, e cila shkakton inflamacion të zorrëve, ndërsa simptomat përfshijnë dhimbjet abdominale dhe barkqitje të shumta. Sëmundja është e pashërueshme, por në periudha të caktuara dhe me ndihmën e terapisë, simptomat qetësohen.
Kim Kardashian: Psoriaza
Është një nga femrat më të përfolura në vitet e fundit për dukjen e saj dhe linjat trupore, mirëpo Kim vuan nga sëmundja e lëkurës e quajtur psoriazë. Psoriaza është një sëmundje autoimune kronike e lëkurës që karakterizohet me luspa dhe pllaka të kuqe në lëkurë që zakonisht kruhen. Ndryshimet në lëkurë lajmërohen dhe tërhiqen, ndërsa bukuroshja shpeshherë merr pauza për shkak të gjendjes së saj.
Magic Johnson: HIV
Kanë kaluar 23 vjet qëkur Magic Johnson e shokoi botën me deklaratën e tij se kishte rezultuar HIV pozitiv (se ka virusin e imunodeficiencës humane në organizmin e tij). Megjithatë, edhe pse HIV-i dhe sindroma klinike që shkakton – AIDS, është sëmundje vdekjeprurëse, ai vazhdon të jetojë falë barnave të shumtë që merr çdo ditë dhe njëherësh është bërë një simbol shprese për personat që vuajnë nga kjo sëmundje duke dëshmuar se të qenit HIV pozitiv nuk do të thotë domosdoshmërisht ‘dënim me vdekje’.
Nick Jonas: Diabet tip 1
Që në moshën 13-vjeçare, Nick Jonas është diagnostikuar me diabet tip 1 dhe mban një pompë insuline për të kontrolluar gjendjen e tij. Kjo formë e diabetit i shkatërron qelizat në pankreas të cilat e prodhojnë insulinën, të domosdoshme në procesin e shfrytëzimit të sheqerit. Prandaj ish-i dashuri i Miley Cyrus dhe Selena Gomez duhet të marrë injeksione me këtë hormon.
Michael J Fox: Sëmundja Parkinson
Michael J Fox është diagnostikuar me sëmundjen Parkinson në vitin 1991 kur ishte 31 vjeç, mirëpo ai e bëri publike sëmundjen e tij në vitin 1998. Sëmundja Parkinson karakterizohet me tremorët (dridhjet), vështirësitë në ecje dhe problemet në lëvizje dhe koordinim.