Mungesa e kompromisit politik në vend rreth themelimit të vazhdimit të ulëseve të rezervuara për pakicat dhe Forcave të Armatosura të Kosovës e ka vënë në pikëpyetje mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në qershor.
Në rast se para 5 majit kur është caktuar seanca plenare për çështjen e themelimit të FAK-ut nuk arrihet ky kompromis, atëherë data 8 qershor mund të bie nga kalendari i mbajtjes së zgjedhjeve.
Më pas, alternativa, mbase edhe e fundit për zgjedhje të parakohshme, do të mbetej 15 qershori. Pas kësaj date caktimi i zgjedhjeve është i mundshëm, por konsiderohet se do të ishte me rrezik, ngase nisin pushimet verore me çka do të rrezikohej dukshëm pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje.
Zgjidhja e ngërçit politik para shpalljes së zgjedhjeve ka të bëjë me sigurimin e votave nga minoritetet, sidomos nga ai serb, për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
Votat e tyre, po kushtëzohen me vazhdimin e ulëseve të rezervuara për pakicat në Kuvend.
Pasi që të dyja vendimet prekin në çështjet kushtetuese, miratimi i tyre do të ishte i mundshëm vetëm me një marrëveshje paraprake, pasi që Kushtetuta e Kosovës e parasheh qartë që ndryshimet mund të bëhen me dy të tretat e votave të deputetëve dhe dy të tretat e votave të minoriteteve.