Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga mirëpret miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre.
“Miratimi i këtij ligji është hapi i parë drejt njohjes së statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, përmes së cilit këto viktima do të gëzojnë përkrahjen institucionale si të gjitha kategoritë e tjera, viktima civile të luftës. Me këtë ligj synohet të njihet e drejta e një kategorie të shoqërisë sonë, që për afro 15 vjet, që prej përfundimit të luftës, ka qenë e margjinalizuar dhe e përjashtuar nga shoqëria”, thotë ajo.
Jahjaga thotë se viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës kanë nevojë për përkujdesje institucionale dhe sipas saj, po tregohet pjekuri e shoqërisë sonë për t’i bërë pjesë tonën. Vlerëson se kjo kategori e shoqërisë ka nevojë për drejtësi që do të shëronte plagët e tyre.
“Zbatimi i këtij ligji do të kontribuojë në përmbushjen e prioriteteve të punës të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës i cili synon koordinimim dhe bashkërendimin institucional dhe shoqëror në trajtimin e kësaj pasojë të rëndë të luftës, duke dhënë kontribut të drejtpërdrejt në hartimin e dokumenteve ndërkombëtare dhe strategjive kombëtare”, thotë Presidentja Jahjaga.