Gjatë kontrolleve rutinore të automjeteve në dalje të territorit të Kosovës, zyrtarët doganorë, në bashkëpunim me zyrtarët e Policisë së Kosovës, kanë selektuar për kontroll të vijës së dytë një automjet me targa të huaja, i drejtuar nga shtetas të huaj.
Gjatë intervistimit fillestar, personat e ndaluar janë pyetur nëse posedonin mallra apo mjete monetare për deklarim, me ç’rast kanë deklaruar se nuk kishin asgjë për të deklaruar. Pas kësaj, është kryer një kontroll i detajuar i automjetit, përfshirë hapësirën e brendshme, bagazhin dhe një çantë personale krahu që përdorej për ruajtjen e dokumenteve, mjeteve monetare dhe sendeve të tjera personale.
Gjatë kontrollit janë gjetur mjete monetare të padeklaruara. Pas numërimit dhe verifikimit, është konstatuar se shuma totale e mjeteve monetare tejkalonte kufirin ligjor prej 10,000 euro, i cili obligon deklarimin pranë autoriteteve doganore.
Në çantën personale janë gjetur mjete monetare në dy valuta:
• 25,515 euro (EUR)
• 565,060 dinarë serbë (RSD), me vlerë të përafërt prej 4,813 euro
Vlera totale e mjeteve monetare të padeklaruara: 30,328 euro
Në përputhje me legjislacionin në fuqi, personi është njoftuar për masat administrative të ndërmarra. Me këtë rast, është konfiskuar 25% e shumës totale, ndërsa 75% e shumës është ndaluar përkohësisht deri në verifikimin e burimit dhe ligjshmërisë së prejardhjes së mjeteve monetare. Rasti do të trajtohet nga sektori kompetent i hetimeve për procedurat e mëtejshme ligjore.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e legjislacionit doganor dhe financiar, si dhe në parandalimin dhe luftimin e aktiviteteve të paligjshme, përfshirë pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, me qëllim të ruajtjes së sigurisë dhe integritetit financiar të vendit.