Në shtator 2024, Republika e Kosovës depozitoi pranë Organizatës Botërore të Doganave instrumentin e anëtarësimit në Konventën për Administrimin e Përkohshëm (Konventa e Stambollit). Anëtarësimi i Kosovës në këtë Konventë u konfirmua në dhjetor 2024.
Ky hap tashmë po konkretizohet edhe përmes mekanizmit të Karnetit ATA.
Oda Ndërkombëtare e Tregtisë (ICC) ka konfirmuar miratimin e kërkesës së Odës Ekonomike të Kosovës për t’u përfshirë në mekanizmin ndërkombëtar të lëvizjes së mallrave me Karnetin ATA.
🔹 Çfarë do të thotë kjo për bizneset dhe qytetarët?
Karneti ATA mundëson që mallrat që nxirren ose futen për përdorim të përkohshëm, në përputhje me kushtet e përcaktuara në Konventë dhe në legjislacionin e Republikës së Kosovës, të shoqërohen me një dokument të vetëm doganor, i cili përdoret për lëvizjen ndërkombëtare të këtyre mallrave.
Kjo paraqet një lehtësim të rëndësishëm për mallrat që:
➡️ hyjnë në Kosovë për përdorim të përkohshëm dhe më pas rikthehen jashtë vendit;
➡️ dalin nga Kosova për përdorim të përkohshëm jashtë vendit dhe më pas rikthehen në Kosovë.
Kjo mund të jetë veçanërisht e rëndësishme për pajisje profesionale, mostra tregtare, mallra për ekspozita dhe panaire, si dhe kategori të tjera të mallrave të destinuara për përdorim të përkohshëm, sipas kushteve të Konventës.
Oda Ekonomike e Kosovës, si pjesë e mekanizmit për lëshimin e Karneteve ATA, do t’i informojë bizneset dhe qytetarët në mënyrë të detajuar për procedurat, kushtet dhe mënyrën e pajisjes me Karnet ATA.
Ndërkaq, Dogana e Kosovës do të mundësojë procedurat doganore për lëvizjen e mallrave në bazë të Karnetit ATA, në përputhje me Konventën dhe legjislacionin në fuqi.
🇽🇰 Një dokument i vetëm. Më pak procedura. Më shumë lehtësi për lëvizjen ndërkombëtare të mallrave.
Ky është një tjetër hap në drejtim të lehtësimit të tregtisë, thjeshtimit të procedurave doganore dhe krijimit të kushteve më të favorshme për bizneset dhe qytetarët e Republikës së Kosovës.
