Greqia ka arritur një marrëveshje me huadhënësit ndërkombëtarë për realizimin e një sërë reformash strukturore në këmbim të zhbllokimit të këstit të radhës së ndihmës prej 10 miliardë euro.
Marrëveshja është arritur pas një nate të gjatë diskutimesh dhe i dha fund një serie prej 6 muajsh negociatash raskapitëse. Shuma prej 10 miliarë euro do të mbulojë pagesat e borxhit Sovran që maturohet në muajin Maj dhe do të rikthejë besimin e investitorëve se Greqia, më në fund, po del nga recesioni më i thellë në histori. Kryeministri i Greqisë, Antonis Samaras, e cilësoi këtë marrëveshje “si një fillim të ri, pas një periudhe të gjatë fatkeqësish”.
“Marrëveshja siguron ndryshime të rëndësishme strukturore që do të liberalizojë ekonominë, do të rrisë konkurrueshmërinë dhe do të reduktojë çmimet. Ne po flasim për reforma që po realizohen tashmë në vendet e tjera Europiane, dhe që duhej të ishin zhvilluar vite më parë në Greqi”, deklaroi Samaras. Fillimisht Greqia u përball me skepticizëm nga trojka ndërkombëtare, që përbëhet nga Komisioni Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore Europiane, mbi premtimet e Athinës se ka arritur një sufiçit buxhetor – përpara pagimit të borxheve – me rreth 3 miliardë euro gjatë vitit 2013.
Ndërkohë, edhe në tregjet financiare besimi duket së është rikthyer. Banka greke, Piraeus Bank, shiti të Martën 500 milionë euro obligacione dhe ky ishte ankandi i parë që realizon një huadhënës grek që nga viti 2009. Njëhohësisht, ministri i Infrastrukturës tha se Greqia ka gjasa të shesë borxh në muajin Maj, për herë të parë në katër vitet e fundit. Rikthimi i besimit ndaj ekonomisë greke pasqyron ndjesinë ndaj eurozonës si një e tërë. Yield-et e bonove të vendeve periferike të bllokut kanë prekur nivelin më të ulët që nga vitin 2010.