Në Ditën e Mësuesit, shprehim mirënjohjen tonë për të gjithë mësuesit e vendit tonë e të të gjitha kohërave.

Mësimdhënësit janë infrastruktura shoqërore mbi të cilin ndërtohen e ardhmja. Ata përcjellin dijen dhe njohuritë, formësojnë mendimin kritik, kultivojnë vlera dhe edukojnë qytetarë. Historia jonë kombëtare na e kujton se si arsimi në gjuhën shqipe ka qenë përherë akt përkushtimi dhe rezistence. Falë tyre, gjuha, kultura dhe atdhedashuria janë ruajtur e zhvilluar ndër gjenerata.

7 Marsi, në ditën e tretë të Epopesë së UÇK-së, na e kujton edhe figurën e mësuesit patriot nga Prekazi, Shaban Jashari. Ai mishëroi ndërlidhen mes mësimit për jetë dhe dashurisë për atdhe. Mësuesin Shaban dhe familjen Jashari i kujtojmë dhe i nderojmë përherë si pjesë të pandashme të historisë sonë.

Në këtë ditë të veçantë, ju shpreh falënderim të përzemërt të gjithë mësueseve dhe mësuesve për punën e palodhur dhe kontributin e çmuar. Investimi i Qeverisë sonë në arsim dhe mbështetja për mësuesit e nxënësit mbetet prioritet i yni i domosdoshëm.

Urime 7 Marsi, Dita e Mësuesit!