Dy drejtorë nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë bërë të ditur se në zyrën në Mitrovicën e Veriut deri tani janë pranuar mbi 500 aplikacione për pajisje me leje qëndrimi, ndërsa janë marrë edhe vendimet e para lidhur me këto kërkesa.
Këto deklarime u bënë në një tryezë të rrumbullakët për të drejtat e njeriut, të organizuar nga organizata joqeveritare “Qendra për Avokimin e Kulturës Demokratike” (ACDC), në kuadër të projektit “Ndërtimi i besimit përmes të drejtave të njeriut”.
Në këtë takim, fokus i veçantë ishte vendosur te Ligji për të Huajt dhe Ligji për Automjetet, përfshirë dispozitat që kanë hyrë në fuqi më 15 mars.
Drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migrim, Valon Krasniqi, tha se është rritur numri i stafit në këtë zyrë dhe procesi po zhvillohet mirë.
Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim, posaçërisht në Divizionin për të Huaj, i kemi rritur kapacitetet në personel. Vetëm në zyrën këtu në Mitrovicë të Veriut janë të angazhuar 7 zyrtarë, nga 1 sa ka qenë fillimisht. E kemi rritur numrin e përgjithshëm, komplet 7 zyrtarë, të cilët po pranojnë aplikacione për pajisje me leje qëndrimi, duke dhënë edhe informacione të duhura, duke shpërndarë udhëzues, formularë, lista të dokumenteve të cilat janë të nevojshme që palët t’i sjellin kudo që ata dëshirojnë të aplikojnë. Por mund të them gjithashtu me kënaqësi që procesi po shkon mjaft mirë sa i përket pajisjes me leje qëndrimi. Deri më tani vetëm në zyrën tonë në Mitrovicë të Veriut kemi pranuar mbi 500 aplikacione dhe gjithashtu mund t’ju informoj që i kemi marrë vendimet e para në lidhje me aplikacionet e tyre. Deri tani janë marrë mbi 70 vendime që janë marrë nga Divizioni për të Huaj”- tha Krasniqi
Ndërkaq, drejtori i Departamentit Ligjor në MPB, Qëndrim Bytyqi, tha se deri më tani nuk ka asnjë refuzim, pasi zyrtarët kanë kontaktuar aplikuesit kur ka munguar dokumentacioni.
