Home LAJME Abuzimet me pronat nga ish-pushtetarët

Abuzimet me pronat nga ish-pushtetarët

Drejtuesi i grupit të Këshilltarëve Komunal të Vetëvendosje në Prishtinë, Ylli Hoxha bashkë me Këshilltarin Qëndron Kastrati në konferencën e sotme për media adresuan tri çështje të rëndësishme që pritet të diskutohen në mbledhjen e nesërme të Kuvendit Komunal të Prishtinës e që janë pjesë e abuzimeve të pushtetit të kaluar – Shkëmbimi i pronave, korrupsioni dhe nepotizimi, si dhe raportet e Komisioneve të aksionarëve të ndërmarrjeve publike komunale.

Më poshtë gjeni të plota shkeljet e shtruara nga Komuna:

Shkëmbimi i pronave
Në seancën e nesërme na janë propozuar katër shkëmbime pronash. Në trajtimin e dosjeve të këtyre propozimeve kemi konstatuar se bëhet fjalë për shkëmbime të dëmshme dhe të kundërligjshme. Kemi hasur në të meta sistemore të menaxhimit të pronave dhe në tendencën për të fshehur informata esenciale nga Kuvendi Komunal.
Shkëmbimet e dëmshme, sistemi jofunksional i menaxhimit të pronave, dhe fshehja e informatave nga Kuvendi Komunal janë indikatorë të shtrirjes së mafisë së pronave në Komunën e Prishtinës.

Propozimi shkëmbimit të pronës rasti “Bingo Benz”
Propozimi i parë skandaloz ka qenë ai për kompensimin e pronës së Ukshin Menxhiqit, pronarit të “Bingo Benz” me një pronë komunale në Shkabaj. Ky rast prekë përmasat e një skandali. Skandali qëndron në faktin se prona në Shkabaj, e cila parashihet t’i jepet si kompenzim palës së dëmtuar, sipas Gjykatës Komunale në Prishtinë nuk është fare pronë e Komunes, por është pronë private e Ramiz Bytyqit (sipas Aktgjykimit C.nr.1792/07). Në vitin 2010 Gjykata Komunale në Prishtinë ka sjellë një vendim me te cilin ia njeh pronësinë familjes Bytyqi mbi këtë parcelë. Komuna më vonë është ankuar ndaj këtij vendimi të Gjykatës Komunale, ndërsa lënda mbetet ende në proces gjyqësor të ankimimit. Rrjedhimisht prona në fjalë është me të meta juridike (shih kërkesën e Këshilltarit Qëndron Kastrati). Fakti se Kuvendit Komunal i sillet një propozimi për shkëmbim një pronë ‘me te meta juridike’ flet për mungesa të rënda në shërbimin ligjor te Komunës së Prishtinës. Ky rast bëhet edhe më shqetësues, për faktin se Kuvendi Komunal, i përbërjes së kaluar , ka votuar për këtë shkëmbim pa qenë i njoftuar për të metat e pronës.
Në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa Lëvizja VETËVENDOSJE! ka arritur që këtë çeshtje ta heq nga rendi i ditës për seancën e nesërme, vetëm falë përpjekjes së saj vetanake. Dhe së fundmi kemi marrë një shkresë nga vetë pala e dëmtuar, z. Ukshin Menxhiqi, i cili vullnetarisht heq dorë nga shkëmbimi i propozuar, si pasojë e informatave të cilat e i kemi mbledhur dhe për të cilat ai nuk ka qenë i njoftuar më parë.
Përkundër , faktit që kemi eskivuar një shkelje të re ligjore, ky rast ilustron problemet sistemore të shërbimit administrativ të Komunës, gjegjësisht flet për cenueshmërinë e sistemit më të cilin janë menaxhuar pronat në Komunën e Prishtinës. Kjo flet për mungesën e një sistemi të sigurt të menaxhimit, regjistrimit dhe verifikimit të pronave. Kjo situatë është alarmante dhe imponon nevojën për masa të shpejta në riparimin e gjendjes aktuale.

Prona përballë Kuvendit te Kosovës
Propozimi i dytë skandaloz është ai për shkëmbimin e parcelave të Komunës, perballë Kuvendit të Kosovës. Në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa kemi arritur që këtë propozim për shkëmbim të pronave ta heqim nga rendi i ditës, për shkak se ky shkëmbim është i dëmshëm për Komunën. Në seancën e nesërme Kuvendi Komunal vetëm se do të informohet me situatën e krijuar në këtë pjesë të lagjes Dodona dhe do te diskutojë përkitazi me zgjidhjen e problemit të cilin na e ka lënë në trashëgimi administrata e kaluar.

Ne konsiderojmë se ky shkëmbim i propozuar është i dëmshëm si në aspektin komercial ashtu edhe i papërshtatshëm për shëndetin urban të qytetit të Prishtinës. Pas analizës së dosjes së rastit kemi ardhur në përfundim se transaksioni i propozuar dëmton pronën e Komunës së Prishtinës. Propozimi si i tillë, ka qenë i favorshëm vetëm për pronarin e ish-“Voçarit”, i cili si duket ka bërë një investim të paqëlluar. Meqë parcela të cilën e ka blerë ai gjendet në afërsi të xhamisë dhe ndërtimi i lartë është i ndaluar, administrata komunale ka nxituar që atë pjesë ta shpallë zonë me interes publik, ndërsa pronarin e “Voçarit” ta shpërblejë me tokën e Komunës e cila shtrihet përgjatë rrugës kryesore, përballë Kuvendit të Kosovës. Kemi konsideruar se prona komunale nuk guxon të përdoret për të kompensuar investimet e paqëlluara të personave privat, kushdo qofshin ata. Meqë Komuna e Prishtinës nuk ofron shërbime të sigurimit të investimeve për investitorë privat, shkëmbimi i pronës së ish-“Voçarit” me një pronë tejet të vlefshme komunale është i pakuptimte. Për më tepër është proces tejet i dyshimtë në të cilin ka pasur tentative të dëmtimit të pronës publike.

Rrjedhimisht do t’i sugjerojmë Kryetarit të komunës që për këtë lëndë ta njoftojë prokurorinë, sepse bëhet fjalë për tendencë të dëmtimit të pronës komunale.
Para Kuvendi Komunal nesër do të shtrohen edhe dy propozime për shkëmbim. Për të dy këto raste kemi kërkuar nga Kryetari Shpend Ahmeti që të bëjë një skenim paraprak, dhe ta njoftojë asamblenë nëse edhe këto prona kanë çfarëdo të mete juridike. Indikacionet fillestare nuk flasin mirë as për këto propozime.

Korrupsioni dhe nepotizmi
Raportet e medieve flasin për shkallë të lartë të nepotizmit në administratën Komunale. Këto akuza vijnë nga tri të përditshmet me prestigjioze në vend, dhe rrjedhimisht nuk guxojmë t’i kalojmë heshturazi. Akuzat duhet t’i debatojmë në Kuvend, ndërsa nga Kryetari i Komunës do të kërkojmë inicimin e një komisioni me mandate të hetimit të saktësisë së pretendimeve për korrupsion dhe nepotizëm. Varësisht prej të gjeturave të këtij komisioni, Kryetari dhe Kuvendi Komunal duhet të marrin masa adekuate për sanimin e gjendjes apo kundërshtimin e pretendimeve të medieve.

Raportet e Komisioneve të aksionarëve të Ndërmarrjeve publike
Raportet e aksionareve të ndërmarrjeve publike – Përkundër faktit se i Komisionet e aksionarëve i obligon ligji dhe për këtë çështje janë paralajmëruar qysh nga fillimi i vitit, shumica e aksionarëve të ndërmarrjeve publike ka dështuar në prezantimin e raporteve vjetore në Kuvend. Prej 7 komisioneve vetëm ai i ndërmarrjes “Trafiku Urban” ka kryer obligimin ligjor. Konsiderojmë se kjo shkallë e neglizhencës është e patolerueshme, dhe se obligimi ligjor i aksionareve paraprak duhet të kryhet përkundër faktit se ata janë shkarkuar tanimë nga këto pozita.

Previous articleBahtiri e Rakiq diskutojnë për heqjen e barrikadës
Next articleRoma me stadium të ri