Screenshot

 

Epidemiologia nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Podujevë, Bedrie Rama, u bën thirrje prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre kundër fruthit, një sëmundje infektive shumë ngjitëse, e cila përhapet përmes ajrit dhe mund të shkaktojë komplikime serioze shëndetësore, veçanërisht te fëmijët.

Fruthi shfaqet me temperaturë të lartë, kollitje, rrjedhje të hundëve, skuqje të syve dhe skuqje të lëkurës, e cila zakonisht fillon në fytyrë dhe përhapet në pjesë të tjera të trupit. Në raste të caktuara, sëmundja mund të shkaktojë komplikime si pneumonia, infeksioni i veshit dhe encefaliti.

Epidemiologia Rama thekson rëndësinë e vaksinimit me vaksinën MMR, e cila jepet në dy doza: e para në moshën 12-muajshe dhe e dyta në moshën 6-vjeçare, para fillimit të shkollës. Vaksinimi me të dyja dozat siguron mbrojtje shumë të lartë kundër fruthit dhe ndihmon në parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

Prindërit këshillohen të kontrollojnë nëse fëmijët e tyre i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës dhe, në rast të shfaqjes së simptomave të dyshimta, të kontaktojnë institucionin shëndetësor para se të paraqiten për kontroll, për të shmangur rrezikun e përhapjes së infeksionit.

Vaksinimi mbron shëndetin e fëmijëve dhe të gjithë komunitetit!