Bandat kriminale, kryesisht të të huajve, po shndërrohen në një problem serioz në Berlin: 28 banesa dhe zyra janë bastisur ndërsa nëntë persona janë arrestuar sot paradite në Berlin. Në aksione kanë marrë pjesë rreth 570 policë, ndër të cilët edhe ata të njësive speciale.

Personat e arrestuar janë të moshës 23 deri 63 vjeçare, ndërsa pesë prej tyre janë kërkuar me fletëarrest, ndër tjerash për shkak të krijimit të grupeve kriminale. Tek ata janë gjetur dhe janë konfiskuar armë, para dhe gjëra të tjera që dëshmojnë për përzierjen e tyre në vepra.

Veprat më të shpeshta kriminale që kanë kryer personat e dyshuar janë shantazhet dhe sulmet ndaj njerëzve më të pasur dhe kundërstharëve të grupeve të tjera. Ndër tjerash ka pasur bastisje edhe në lagjet Neukölln dhe Kreuzberg të Berlinit.

Gjatë vitit të kaluar është shtuar numri i veprave kriminale për 68 përqind. Gjatë vitit 2025 janë regjistruar 1119 raste të përdorimit të armëve, rreth gjysma kërcënime me armë, por ka pasur edhe 515 të shtëna me armë zjarri, kryesisht në këmbë, që në qarqet kriminale konsiderohet si një paralajmërim.

Sulmet më së shumti janë kryer ndaj pjesëtarëve të grupeve etnike turke dhe kurde, kryesisht ndaj njerëzve më të pasur, ndaj restoranteve e lokaleve por edhe ndaj kundërshtarëve të grupeve tjera kriminale.