Home LAJME Basha, sot në Kosovë

Basha, sot në Kosovë

Vetëm dy dite pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Pejë, kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha, do të qëndrojë sot në Kosovë, ku do të vizitojë Deçanin me rastin e përvjetorit të gjashtëmbëdhjetë të “Epopesë së Dukagjinit”.

Sot, në Deçan dhe Gllogjan, me një varg aktivitetesh shënohet 16-vjetori i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dukagjin dhe 15-vjetori i ndërhyrjes së forcave të NATO-s në mbështetje të popullit të Kosovës.

Në po të njëjtën ditë, është lajmëruar që Basha do të shpallet edhe qytetar nderi i komunës së Deçanit.

“Basha është një nga personalitetet e rëndësishme të politikës në Shqipëri, thjesht është një njeri që respektohet shumë në pjesën tonë, prandaj Deçani ndjehet i nderuar që të shpallë Bashën qytetar nderi”, ka thënë kryetari i komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj.

Rreth orës 11:00, në qendër të qytetit, kryebashkiaku Lulzim Basha, do të bëjë homazhe te shtatorja e heronjve të kombit.

Ndërsa 15 minuta më vonë ai do të takohet me kryetarin e kësaj komune, Rasim Selmanaj.

Pas takimit, Basha do të jetë pjesë e seancës solemne të Asamblesë Komunale të Deçanit ku atij do t’i ndahet Çmimi Qytetar Nderi i Komunës së Deçanit.

E dorëzimi i çmimit, Bashës do ti bëhet pas drekës, në manifestimin qendrorë “Epopeja e Dukagjinit”. /Telegrafi/

Previous articleKosova edhe më afër NATO-s
Next articleHistoria e Tribunalit