Në vitin 1998, gjatë kohës së luftës në Kosovë, ambasadori amerikan Richard Holbrooke e kishte cilësuar Kijevën si vendin më të rrezikshëm në Evropë. Sot, banorët e këtij fshati janë të interesuar të njihen si Komunë.
Këtë kërkesë ata e arsyetojnë me pohimet se Kijeva në të kaluarën veç ishte Komunë dhe se numri i madh i banorëve – sipas tyre rreth 20 mijë – e fuqizon më tej këtë kërkesë.
Abraham Gashi, udhëheqës i Grupit Nismëtar për krijimin e komunës së Kijevës, ka theksuar se formimi i komunës do të ndikonte që shërbimet të ishin më afër banorëve të fshatit dhe do të hapte një perspektivë të re për këtë vendbanim. Ai ka sqaruar se ambicien e tyre e mbështesin edhe një numë i madh i fshatrave përreth.
“Presim që përfaqësuesit e fshatarëve përreth të vijnë dhe ta nënshkruajnë kërkesën tonë (formimin e komunës), të cilën do t’ia dorëzojnë qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Pushtetit Lokal. Unë besoj se edhe komunat të cilat i kemi afër nuk do ta kundërshtojnë kërkesën tonë, madje shpresoj në përkrahjen e tyre, sepse kjo është në të mirën e tyre”, ka thënë Gashi për Telegrafin.
Ndryshe, kryeministri Hashim Thaçi në gusht të vitit të kaluar kishte paralajmëruar se Qeveria e Kosovës është në proces të formimit të komunës së Zhegrës dhe në lagjen Kodra e Trimave (Vranjevc) në Prishtinë.
I menjëhershëm aso kohe kishte qenë reagimi i shefit të Grupit parlamentar të LDK-së Ismet Beqiri, i cili pati thënë se kryeministri po bënë “cerkuze” duke formuar komuna. /