Home LAJME Dilema, kush ta hartojë Ligjin për përgjimet

Dilema, kush ta hartojë Ligjin për përgjimet

Rekomandimet e Komisionit Evropian që Ligji për Përgjime të hartohet nga Ministria e Integrimeve Evropiane, si kusht për liberalizim të vizave, nuk është parë me sy të mirë nga ana e deputetëve që janë pjesë e Komisionit Parlamentar për Siguri, përkatësisht Komisionit për Mbikëqyrje të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI). Ata thonë se Ministria e Integrimeve Evropiane, nuk ka kapacitet ta hartojë një ligj të tillë.

Një ndër kushtet për liberalizim të vizave nga Komisioni Evropian do të jetë edhe hartimi i projektligjit për përgjimin e telefonave.

Ahmet Isufi, kryetar i Komisionit Parlamentar për Siguri, tha se ligji për përgjimet e telekomunikimeve është kthyer prapa për përpunim në Qeveri, sepse ka qenë i dobët dhe ka pasur shumë vërejtje. Megjithëkëtë, sipas tij, ky projektligj nuk është dashur të kalojë në Ministri të Integrimeve Evropiane (MIE).

“Ne konsiderojmë se është devijuar rruga në të cilën është dashur të shkojë ky projektligj, sepse ekskluzivisht i takon segmentit të sigurisë dhe inteligjencës dhe, marrja e komisionit të integrimeve, nuk ka të bëjë me përmbajtjen e projektligjit”, tha Ahmet Isufi.

Edhe Fadil Demaku, nënkryetar i komisionit të AKI-së nga radhët e PDK-së, mendon se Ministria e Integrimeve Evropiane, duhet patjetër t’ia përshtat ligjin rrethanave të Kosovës.

“Ministria e integrimeve Evropiane në këtë ligj mendoj se vetëm mundet ta marr ndonjë model, duke mos e njohur absolutisht ambientin, rrethanat dhe natyrën se çfarë përmban për brenda. Ajo mund ta procedojë nga modeli se si vjen, por jo ta bëjë më të mirën e mundshme”, tha Demaku.

Rexhep Selimi, anëtar i Komisionit për Siguri nga Vetëvendosja, thotë se as Ministria e Integrimeve Evropiane, e as Komisioni për Integrime Evropiane në Kuvend, nuk kanë kapacitete të hartojnë dhe të procedojnë këtë ligj.

Sipas tij, hartues të këtij ligji do të duhet të ishin Ministria e Punëve të Brendshme apo Zyra Ligjore e Kryeministrit të Kosovës.

“Është e vërtetë se edhe ky ligj përcakton rrugën e integrimeve evropiane, por nëse është kështu, atëherë do të duhet që shumica e projektligjeve të shkojnë përmes MIE, dhe kjo ministri nuk ka kapacitet që të hartojë një projketligj të tillë”, tha Rexhep Selimi.

Deputetët, Isufi, Demaku dhe Selimi, thanë se, pa marrë parasysh se kush e harton, ligji duhet të kalojë edhe në Komisionin për Siguri dhe atë për Mbikëqyrje të AKI-së dhe duhet të merren parasysh edhe vërejtjet dhe sugjerimet e tyre.

Previous articlePreteni: Pasuria e paligjshme e paprekur nga drejtësia
Next articleF1: Shkëlqen Hamilton, fiton në Malajzi