Një delegacion i Doganës së Kosovës zhvilloi një vizitë pune në Portugali, ku u prit nga kolegët e @Autoridade Tributária e Aduaneira /Autoritetit Tatimor dhe Doganor të Portugalisë. Qëllimi i kësaj vizite ishte forcimi i kapaciteteve profesionale në fushën e financave, shkëmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira, si dhe thellimi i bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet dy administratave doganore.
Gjatë vizitës, delegacioni pati mundësinë të njihet nga afër me modelet, procedurat dhe praktikat e avancuara që zbatohen në menaxhimin financiar dhe qeverisjen e brendshme, duke krijuar një bazë të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve profesionale në Doganën e Kosovës.
Dogana e Kosovës shpreh mirënjohjen dhe falënderimet më të sinqerta për Autoritetin Tatimor dhe Doganor të Portugalisë për mikpritjen e ngrohtë, organizimin e shkëlqyer të programit dhe gatishmërinë për të ndarë përvojën dhe ekspertizën e tyre profesionale. Ky kontribut paraqet një vlerë të veçantë për avancimin e proceseve tona financiare dhe forcimin e standardeve të qeverisjes së mirë.
Ky bashkëpunim i ngushtë bilateral dëshmon përkushtimin e përbashkët për forcimin e integritetit institucional, rritjen e transparencës dhe promovimin e praktikave moderne të menaxhimit financiar. Përvoja e fituar gjatë kësaj vizite do të kontribuojë drejtpërdrejt në zhvillimin profesional të stafit dhe në rritjen e efikasitetit të proceseve të punës në Doganën e Kosovës.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimit të vazhdueshëm profesional, me synimin për të avancuar standardet e saj institucionale dhe për të kontribuar në forcimin e komunitetit doganor ndërkombëtar.