Screenshot

Banorët e lagjes te Radio Llapi në Podujevë po përballen me një situatë shqetësuese, pasi kanë bërë të ditur se mbeturinat nuk janë larguar tash e dy javë.

Kontejnerët janë mbushur tej mase, ndërsa mbeturinat janë grumbulluar edhe përreth tyre, duke krijuar një erë të rëndë që, sipas banorëve, po e bën të vështirë jetesën në këtë zonë, veçanërisht gjatë temperaturave të larta.

Ata shprehen të shqetësuar se, përveç kundërmimit të pakëndshëm, grumbullimi i mbeturinave mund të ndikojë edhe në shfaqjen e insekteve, brejtësve dhe problemeve të ndryshme shëndetësore.

Banorët kërkojnë nga institucionet përgjegjëse dhe kompania për menaxhimin e mbeturinave që të ndërhyjnë sa më shpejt për largimin e tyre dhe rikthimin e shërbimit të rregullt, në mënyrë që të shmanget përkeqësimi i situatës.

Radio Llapi do ta përcjellë këtë çështje dhe do të kërkojë edhe një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse lidhur me arsyet e mosgrumbullimit të mbeturinave për dy javë.