Home SPORT El Clasico e fundit për Valdesin

El Clasico e fundit për Valdesin

Ndeshja ndërmjet Real Madridit dhe Barcelonës është më e veçanta në botë. Shumë pak futbollistë e kanë rastin ta shijojnë emocionin e kësaj super përballjeje.

Victor Valdes e pati mundësinë shumë herë, por ajo e së dielës do të jetë El Clasico e fundit për portierin e Barcelonës.

Portieri spanjoll ka konfirmuar se në fund të sezonit do të largohet nga gjiganti katalunas, prandaj ai nuk do ta ketë më mundësinë ta gëzojë këtë sfidë.

“Kjo mund të jetë El Clasico ime e fundit në Bernabeu me fanellën e Barcelonës. Kam shumë respekt për këtë stadium, është një vend fantastik, me njerëz që bëjnë tifo të madh për Realin, mbi të gjitha në El Clasico. Për këtë, sfida bëhet më speciale, edhe pse luaj si kundërshtar”, deklaroi fillimisht portieri spanjoll.

Ai sigurisht kërkon fitore, për ta ruajtur hapin me Realin për titull të kampionit në La Liga.

“Këto tri pikë kundër Realit vlejnë sa ato të Anoetas. Kundër Real Sociedadit. Në atë rast nuk ishim me fat, por shkojmë në El Clasico me shumë shpresa dhe një mentalitet fituesi, si gjithmonë. Vetëm kështu mund të fitohet në Bernabeu”, vazhdoi ai.

“Duhet të shkojmë atje duke u munduar ta kontrollojmë ndeshjen, ta kemi posedimin e topit dhe të luajmë në mënyrë ofanzive”, vijoi ai.

Valdes e di fortë mirë se fitorja është rezultati i vetëm i mundshëm për Barçën, nëse dëshiron të mbetet në garë për titull në La Liga.

“Pas disa ditësh shpresoj të mund të them se kemi fituar, sepse kemi nevojë për këto pikë, nëse duam të luftojmë për titull me Realin”, përfundoi Valdes, i cili shpreson që Tata Martino të vazhdojë ta udhëheq Barcelonën për shumë vite.

Previous articleMihrije Braha në Kalimash!?
Next articleShënon Mehmedi, fitore e artë për Freiburgun