Home Uncategorized Emërohet drejtor i arsimit Nazmi Musa

Emërohet drejtor i arsimit Nazmi Musa

DSC_0732Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit z.Lutfi Haziri në konferencën për media sot ka bërë të ditur emrin e drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit, dikaster ky që nga e hëna më 20 janar 2014 do të udhëhiqet nga drejtori Nazmi Musa.

Me këtë rast para mediave kryetari Haziri ka bërë publik vendimin e tij për emërimin e drejtorit të DKA-së.

“Sot ju kam ftuar këtu t’ju konfirmoj vendimin për emërimin e drejtorit të arsimit që është Nazmi Musa. Ai është një profesor shumëvjeçar. Angazhimi i tij lidhet ngushtë me zhvillimet që kanë ndodhur në Gjilan dhe procese të tjera në Kosovë. Ai nga e hëna do të nis punën në udhëheqjen e arsimit gjilanas. Ai do të udhëheq këtë drejtori e cila menaxhon me tri nivelet e arsimit: parashkollor, fillor dhe atë të mesëm,ku bashkërisht do të vendosim rend, disiplinë dhe zbatim të ligjit në atë drejtori dhe në të gjithë sektorët e tjerë. Arsimi për shkak të rëndësisë është projeksion dhe prioritet i Komunës së Gjilanit me të cilin do të merremi me përkushtim të veçantë. Përveç këshillit të arsimtarëve do t’i organizojmë edhe këshillin e prindërve dhe nxënësve, në procesin vendimmarrës dhe mbarëvajtjen e procesit qoftë në shkollë fillore apo të mesme”, ka thënë kryetari Haziri duke shtuar se puna duhet të funksionoj në trekëndëshin mësimdhënës – prind – nxënës.

“Gjatë kësaj kohe kemi vendosur prioritetet, lidhur me menaxhimin dhe këtë punë për këtë periudhë e kemi bërë me përgjegjësi të madhe në të gjithë sektorët e Komunës. Nga java e ardhshme do të ndërtohen tri task forca të mëdha nën udhëheqjen time, që do të merren me servizimin e borxheve që kjo Komunë i ka, poashtu edhe me borxhet që janë ndaj Komunës”.

“Taskforca e dytë ka të bëjë me tatimin në pronë, ku do të fillojmë vlerësimin e pronës dhe aseteve me tregun në Kosovë. Ne nuk mund të pasurohemi si Komunë duke e varfëruar qytetarin. Në shumicën e rasteve atë që e kemi gjetur është mbivlerësuar dhe kjo do të ulet në raport me atë që e ka në mënyrë që vërtetë qytetarët me e përballuar këtë gjendje. Poashtu krahas vlerësimit hyn edhe rishikimi i Gjobave dhe i dënimeve që vie si pasojë e mospagesave në mënyrë që të inkurajojmë qytetarin për t’i paguar obligimet dhe të mos vonohen në pagesa. Gjobat tash kanë kaluar edhe vlerën e tatimit në pronë, sepse ajo është bërë aq e madhe saqë njerëzit nuk mund ta përballojnë më. Ky grup punues në afatin optimal ka për obligim ta bëjë këtë vlerësim dhe të filloj me zbatimin e politikës sonë. Faturat e Tatimit në Pronë javën e kaluar janë lëshuar dhe ato janë sipas standardeve që duhet të paguhen, ndërsa në të njëjtën kohë do të vazhdoj puna e vlerësimit”.

Haziri ka thënë poashtu se të martën është thirrur seanca e Kuvendit të Komunës dhe do të bëhet zgjedhja e kryesuesit, zëvendësit dhe trupave të saj, si kalendarin dhe oraret.

“Asambleja Komunale do të filloj ta ushtroj detyrën nga dita e parë. Dokumenti i parë që do të shkoj është projekt – rregullorja për tarifat dhe taksat komunale, dokumenti i dytë do t’i shkoj mbi borxhet dhe obligimet e Komunës”.

Ai ka apeluar që urgjentisht nga sot qytetarët ta shfrytëzojnë racionalist ujin e pijshëm, për shkak të gjendjes jo të mirë të furnizimit me ujë.

“Unë apeloj që qytetarët të harxhojnë ujin në mënyrë racionale, sepse gjendja në pendën e Përlepnicës është shumë e vështirë. Nga sot do të lëshohet urdhëresa për shfrytëzimin e ujit për nevoja sekondare si autolarjet dhe tipet e tilla që zhvillohen deri në keqpërdorim. Ne duhet të kursejmë maksimalisht në mënyrë që uji si burim jetësor të mos jetë mungesë për qytetarët e Gjilanit. Hidromorava si kompani regjionale duhet me udhëheq këtë politik dhe duhet të merret edhe më shumë me këtë problem. Ne nga ana e Komunës jemi vazhdimisht në takime atje si në takime pune dhe në gjetjen e mënyrave për tejkalim të gjendjes kur të reshurat po mungojnë”, ka përfunduar kryetari Haziri. /RadioRINIA/

Previous articleFortesa: ka publikuar raportin me temë “Komunë e hapur”
Next articleHaziri: Do të koordinohemi për aktivitete të përbashkëta me “Kryqin e Kuq”