Gjilan – Në Gjykatën Themelore në Gjilan të mërkurën është shpallur aktgjykimi në rastin e Begzad Sinanit dhe Hasan Keqmezit. Trupi gjykues i kryesuar nga Anna Adamsak Gallant duke e dhënë arsyetimin tha se Begzad Sinani dhe Hasan Keqmezi nuk janë fajtor sepse nuk kanë përfituar asgjë për vete.
“Provat e ofruara në aktakuzë nuk janë vërtetuar dhe Begzad Sinani e Hasan Keqmezi lirohen nga akuza e keqpërdorimit të detyrës zyrtare“, tha Gallant, raporton rajonipress.
Gallant tha se as Sinani e as Keqmezi nuk i kanë tejkaluar kompetencat edhe në kohën kur kanë shpërndarë ndihma në kohën e fushatës.
Ajo tha se edhe pse aktakuza i ka ngarkuar për një shpërdorim të detyrës zyrtare në vlerë të 178 mijë eurove, duke përfshirë shpenzime të drekave e darkave, karburanteve dhe shpenzimet e ndihmave gjatë fushatës zgjedhore në vitin 2009 megjithatë Gjykata nuk ka arritur të vërtetoj se dy të akuzuarit kanë kryer veprën penale.
Pas shpalljes së aktgjykimit Begzad Sinani tha për rajonipress se ky vendim është një fitore e madhe e drejtësisë kosovare dhe e tij veçanërisht.
”Unë që nga dita e parë e kam thënë se aktakuza dhe vet padia është e motivuar politikisht. Dikush deshi të më dëmtojë mua dhe PDK , por ja që triumfoj e vërteta”, tha Sinani.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës (EULEX), Begzad Sinani dhe Hasan Keqmezi dyshohej se gjatë vitit 2009 me qëllim që vetit t`i sjellin përfitim të kundërligjshëm pasuror kanë marrë vendim për shpërndarjen e ndihmave për skamnorët edhe pse s`ka pasur nevojë për një gjë të tillë.
Aktakuza gjithashtu i ngarkonte Sinanin e Keqmezin se gjatë kohës së fushatës së viti 2009 kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës duke krijuar shpenzime për dreka e pije. Të dy këta dyshoheshin se kanë kryer veprën penale shpërdorimi i detyrës zyrtare. /RadioRINIA/