Home LAJME Fëmijë e gra të 13 luftëtarëve shqiptarë iu bashkuan luftës në Siri

Fëmijë e gra të 13 luftëtarëve shqiptarë iu bashkuan luftës në Siri

Në kampet e luftës në Siri, së bashku me vullnetarët shqiptarë jetojnë edhe bashkëshortet dhe fëmijët e 13 luftëtarëve.

Raporti i Shërbimit Informativ Shtetëror pasqyron të dhëna mbi ata vullnetarë që pasi kanë mbërritur në front, në Siri kanë vendosur të tërheqin atje edhe familjet e tyre.

Në të shumicën e rasteve, raporti i SHISH-it shkruan se pak muaj pasi në Siri është nisur kryefamiljari, bashkë me të janë nisur edhe pjesa tjetër e familjes.

Abc News publikon sot emrat e 13 personave që kanë marrë në frontin e luftës gratë dhe fëmijët e tyre. Sipas raportit, fëmija më i vogël e marrë drejt Sirisë është foshnja 2 muajshe e Krenar Shulit nga Gurrasi i Librazhdit që është larguar së bashku me bashkëshorten dhe dy vajzat e tij.

Mes emrave të vullnetarëve, është Shkëlzen Dumani tashmë në kërkim ndërkombëtar, i cili ka marr dy fëmijët pa miratimin e ish-bashkëshortes së tij. Të njëjtin fat ka edhe ish-bashkëshortja e Zamir Manit, Almira Kastrati që është dërguar në Siri nga imami i vetëshpallur i xhamisë së Unazës së re, Genc Balla së bashku me djalin e këtij të fundit, 7 vjeç.

Ervin Hasanaj nga Sauku, i njohur si Ebu Ahmed është larguar së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij. Në nëntor të 2013, drejt Turqisë u largua edhe Erjon Basha i cili ka marr me vete bashkëshorten dhe dy fëmijët. Po të njëjtën rrugë ka ndjekur edhe Sherif Taushani nga Mollasi i Elbasanit, i cili është nisur në luftë së bashku me tre fëmijët dhe bashkëshorten. Me 5 fëmijë dhe bashkëshorten gjendet në frontin e luftës edhe Mehmet Stafasani i njohur si Ebu Usejd Albani me origjinë nga Mati, por me banim në Tiranë. Ai ka ikur nga Shqipëria në maj të 2013 ndërsa familja i është bashkuar në korrik të vitit të kaluar.

Po në korrik të 2013-ës Shyqyri Kaces, i njohur si Shukri i janë bashkuar edhe gruaja dhe 3 fëmijët e tij. Kjo datë ka qenë edhe dita e udhëtimit për familjen e Hasan Korvafajt, që zyrtarisht thuhet se është vrarë gjatë luftimeve. Bashkëshortja dhe tre fëmijët e tij ende nuk janë kthyer në Shqipëri.

Të njëjtin fat kanë edhe 4 fëmijët dhe bashkëshortja e një tjetër personi të vrarë në Siri, Hamit Muslija, dhe po ashtu edhe djali dhe bashkëshortja e Diamant Rashës i vrarë me snajper. Ndërkaq, ende nuk dihet për fatin e bashkëshortes dhe vajzës së personit që dyshohet se është vrarë, Bledian Hamza nga Leshnica e Pogradecit. Edhe për imamin e xhamisë së Leshnicës, Almir Daci që mendohet se është një nga drejtuesit e grupeve shqiptare në Siri, SHISH raporton se është larguar familjarisht.

Sipas raportit disa nga fëmijët të rritur në moshë i janë bashkuar forcave luftuese, ndërsa femrat kujdesen brenda kampit duke i dhënë ndihmë të plagosurve. Dy janë grupet në të cilat bashkohen shqiptarët që nisen në luftë. Njeri prej tyre, “Al-Nusra” është shpallur një grup terrorist nga organizata e Kombeve te Bashkuara, ndërsa tjetri është një grupim turk.

Zëvendëskomandant i tij është një djalë, person i skeduar nga Shërbimi Informativ Shtetëror me banim ne Elbasan, që mes besimtareve njihet si Zeyd Al Albani.

Previous articleSi të trajtoni strijat e krijuara
Next articleThaçi: Rrogat e punëtorëve të KEK-ut të rritën 120 euro nga prilli