Home Uncategorized Fillojnë vjedhjet në aeroportin e Gjakovës

Fillojnë vjedhjet në aeroportin e Gjakovës

Vetëm një muaj pasi ka kaluar në kompetenca të Qeverisë së Kosovës, në aeroportin e Gjakovës kanë filluar vjedhjet dhe dëmtimet.

Ditëve të fundit, persona ende të panjohur, kanë dëmtuar dhe vjedhur një sasi të konsiderueshme të kabllove të energjisë elektrike të cilën e ka konfirmuar edhe komandanti i stacionit policor në Gjakovë, togeri Kristë Gjokaj.

“Po, është e vërtetë se ka pasur dëmtime dhe vjedhje në aeroportin e Gjakovës dhe për këtë Policia ka iniciuar dy raste, për të cilat hetimet janë duke vazhduar me intensitet të lartë. Ende nuk kemi diçka konkrete andaj nuk mund të themi asgjë më shumë se kaq”, ka thënë shkurt Gjokaj.

Ndërkohë, jozyrtarisht mësohet se përveç kabllove të energjisë elektrike, në aeroport janë vjedhur edhe disa kontejnerë, por kjo është mohuar kategorikisht nga policia.

“Bëhet fjalë vetëm për dëmtimin dhe vjedhjen e disa kabllove dhe asgjë më tepër”, ka shtuar komandanti Gjokaj.

Të njëjtën e kanë konfirmuar edhe disa pjesëtarë të stafit civil që punojnë në aeroport, të cilët kanë thënë se bëhet fjalë vetëm për kabllo të energjisë elektrike e jo edhe për kontejnerë.

“Është e vërtetë që disa kontejnerë janë larguar gjatë këtyre ditëve, por ata janë marrë nga KFOR-i italian, të cilët do t’i shfrytëzojnë për nevojat e veta. Përveç kabllove, diçka tjetër nuk është prekur në aeroport”, ka thënë ky punëtor, i cili në mungesë të së drejtës për të prononcuar për mediat, ka folur në kushte anonimiteti.

Aktualisht, sigurimin e aeroportit është duke e bërë një kompani e sigurimit me seli në Prishtinë, e cila për këtë detyrë është tenderuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Përfaqësues të kësaj kompanie, përveç se nuk kanë pranuar të flasin mbi rastin, nuk kanë lejuar që gazeta të bëjë foto në vendin e vjedhjes me arsyetimin se për informata dhe leje për të hyrë në aeroport, duhet drejtuar MTI-së.

Lidhur me këto vjedhje ka reaguar edhe kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, e cila ka kërkuar masa shtesë së sigurisë për aeroportin.

“Kemi kërkuar intensivisht nga MPB-ja që në aeroport të vendoset një tog i policisë, qoftë edhe policia kufitare, sepse policia kufitare duhet të fillojë të stacionohet në një vend ku do ta kenë bazën e tyre, aeroporti në fakt është një pikë kufitare. Kjo kërkesë nuk ka gjetur shumë përkrahje por ne nuk do të ndalemi në këtë kërkesë sepse asetet që janë aty kanë një vlerë shumë të madhe dhe rëndësia e funksionimit të aeroportit varet nga këto asete. Gjithashtu nuk dua që si Republikë e Kosovës të tregojmë mungesë të seriozitetit për një dhuratë të madhe që na dha Qeveria e Italisë, duke treguar neglizhencë ndaj përgjegjësisë të cilën po e marrim”, ka thënë Kusari – Lila.

Rastet e fundit ajo i ka quajtur veprime të shëmtuara që kërkojnë dënimin e merituar nga ligji. shkruan Zëri. /RadioRINIA/

Previous articleEdhe ne Kosovë do të mbizotroje ligji – shpres për qytetaret
Next articleAutobusi kosovar merr flakë, zjarrfikësit evakuojnë 49 udhëtarët