Gazetarët ndërkombëtarë që kanë përcjellë nga afër ndeshjen ndërmjet Kosovës dhe Haitit, janë impresionuar me organizimin e saj dhe me performancën e futbollistëve kosovarë, raporton KTV.
Ndërkohë, Federata e Futbollit e Serbisë i ka nisur një letër presidentit të FIFA-s, Sepp Blatter, ku i kërkon që të anulojë vendimin për lejimin e miqësorëve, për shkak se lojtarët mbanin logon e FFK-së në fanella.
Për gazetarët që kanë parë nga afër ndeshje futbolli të kombëtarëve e klubeve ndër më të mëdhatë në botë, debutimi i Kosovës në shi në ‘Adem Jashari’ ka qenë mjaft impresiv.
Nick Ames, gazetar i pavarur nga Anglia, ka raportuar për disa ditë për ESPN-në. Ai thotë se ndeshja ishte e organizuar mirë dhe se futbollistët kosovarë bënë lojë për t’u krenuar. Atij i ka bërë përshtypje edhe fakti që tifozë rivalë të ekipeve lokale arritën të bëhen bashkë për ta përkrahur Kosovën.
“Kosova, ende ka kohë për një gol – por një shtet tashmë ka fituar” – është titulli i njërës prej gazetave më të mëdha italiane të sportit, La Gazzeta Dello Sport.
Atë e ka shkruar Andrea Luchetta, i cili thotë se Kosova shënoi në shumë forma fitore me ndeshjen e së mërkurës. Gazetari italian ka folur edhe me Presidenten Jahjaga, e cila ka thënë se ua ka përcjellë futbollistëve kosovarë mesazhin se çfarë rëndësie historike ka kjo ndeshje.
Por, në Beograd, skenat në ‘Adem Jashari’ i kanë lënë të inatosur drejtuesit e Federatës së atjeshme. Në një tjetër hap dëshpërues për të penguar ndërkombëtarizimin e futbollit kosovar, FFS i ka kërkuar Blatterit që të anulojë vendimin për miqësoret sepse futbollistët kosovarë mbanin logon e FFK-së në fanella.
“Është e qartë se kemi prova që lojtarët vendës mbanin në fanellë emblemën e Federatës së Futbollit të Kosovës. Kjo është befasuese, duke e pasur parasysh se drejtuesit e ndeshjes është dashur ta vërenin këtë, në bazë të vendimit të marrë nga FIFA”, thuhet në ankesën e FSS-së.
Ndër të tjera, loja është përcjellë nga vëzhguesi special i FIFA-s, i cili nuk ka reaguar po ashtu. Federata Serbe kërkon nisjen e procedurës disiplinore ndaj të gjithë zyrtarëve të lojës. FSS distancohet nga vendimet e Komisionit për Çështje Urgjente dhe FS kërkon revokimin apo anulimin e vendimit të miqësoreve të Kosovës”, thuhet në reagimin e FSS-së.