Në spitalin e Gjilanit numri i të prekurve me virusin AH1N1 ka shkuar në gjashtë persona.
Numri i tyre sipas drejtorit Abdylatif Latifi po shtohet çdo ditë, por ai thotë se situata është nën kontroll dhe se janë të pajisur me aparaturë, hapësirë dhe barna. Një rast më i rëndë të martën është transferuar për në Prishtinë.
Tashmë numri i të prekurve me virusin AH1N1 i njohur si gripi i derrave ka arritur në gjashtë persona derisa autoritet shëndetësore në spitalin e Gjilanit thanë se kjo shifër mund të rritet dita ditës për shkak të rasteve të reja që po paraqiten, njofton rajonipress.
Drejtori i spitalit të Gjilanit Abdylatif Latifi tha për rajonipress se vetëm të martën vonë pasdite janë konfirmuar edhe dy raste të reja dhe ky numër tanimë shkon në gjashtë pacientë të prekur nga ky virus.
Latifi tha se ky numër mund të rritet pasi që çdo ditë po paraqiten raste të reja. “Përkundër kësaj nuk ka nevojë as për shqetësim e as për panik sepse Spitali i Gjilanit është i përgatitur mirë me tërë hapësirën, aparaturën dhe barnat. Të martën një pacient ndërkaq është transferuar për në klinikën Infektive në Prishtinë për shkak se gjendja e tij shëndetësore ishte më e rëndë, kurse rastet tjera janë stabile” tha Latifi.
Latifi tha se aktualisht kanë një bashkëpunim të mirë me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, derisa komiteti i formuar enkas për këtë situatë po vëzhgon çdo ditë gjendjen.