Home Uncategorized Gjermani: Miliarda për kërkimin shkencor dhe zhvillimin teknologjik

Gjermani: Miliarda për kërkimin shkencor dhe zhvillimin teknologjik

Sipërmarrjet gjermane investojnë shumën rekord prej 54 miliardë euro për kërkime dhe zhvillim. Në vend të parë sa u përket investimeve për kërkimin shkencor dhe zhvillimin teknologjik janë prodhuesit e automobilëve.

Gati 54 miliardë euro kanë investuar në vitin 2013 kompanitë gjermane për kërkime shkencore dhe zhvillim teknologjish të reja. Më shumë se kurrë më parë. Sipas një studimi të Shoqatës gjermane të Donatorëve për Shkencën kjo është një rritje prej më shumë se pesë për qind në krahasim me vitin e kaluar. Sipas ekonomistit Jan Wieseke nga Universiteti Bochum Ruhr kjo shumë rekord vërteton që kompanitë kanë nxjerrë konkluzione nga kriza financiare dhe ekonomike.

Prof. Jan WiesekeProf. Jan Wieseke

Kjo valë investimesh në fushën e hulumtimeve dhe të zhvillimit teknologjik sinjalizon sipas Wiesekes, “se kemi një angazhim edhe më të fortë në procesin intensiv ndërkombëtar për zhvillimin e teknologjive të ardhshme dhe se në këtë mënyrë po përcaktohet edhe kursi për këto teknologji.” Në fund të fundit prej këtyre investimeve përfiton edhe ekonomia gjermane.

Ka ende vend për përmirësim

Në kuadër të zonës ekonomike evropiane, Gjermania zë me shpenzimet për kërkimin shkencor dhe zhvillimin teknologjik vendin e tretë. Shumë përpara saj janë Britania e Madhe, Franca dhe Italia. Parë në krahasim ndërkombëtar për kompanitë gjermane ka ende vend për përmirësim, thotë Gero Stehnke nga Shoqata gjermane e Donatorëve për Shkencën. Vende që ndodhen në një proces të qëndrueshëm zhvillimi ekonomik si Korea e Jugut dhe Japonia investojnë shumë më tepër për kërkimin shkencor dhe zhvillimin teknologjik. Edhe Kina po investon tani shumë në këtë fushë. Në Evropë vende të tilla si Suedia dhe Finlanda janë para Gjermanisë. Megjithatë studimi i Shoqatës së Donatorëve e sheh Gjermaninë në rrugën e duhur.

Përveç investimeve për për kërkimin shkencor dhe zhvillimin teknologjik brenda sipërmarrjeve, firmat gjermane kanë dhënë rreth 13 miliardë euro për kërkime të tilla në universitete dhe institucione kërkimore. Pra ka një rritje prej 3,8%.

Investime të shumëanëshme për zhvillimin teknologjik

Në vend të parë sa u përket investimeve për kërkimin shkencor dhe zhvillimin teknologjik janë prodhuesit e automobilëve, sidomos të kamionëve me 24 miliardë euro. Pra 37% e parave për zhvillimin teknologjik i takojnë industrisë automobilistike. Në krye të koncerneve është VW që ka shpenzuar për zhvillimin teknologjik më tepër se 2,5 miliardë euro.

Përveç prodhuesve të automobilëve, industria elektrike, ajo e prodhimit të makinerive, industria kimike dhe farmaceutike janë ndër sektorët që shpenzojnë paratë për për kërkimin shkencor dhe zhvillimin e teknologjive dhe produkteve të reja.

Por Shoqata gjermane e Donatorëve për Shkencën konstaton se edhe sipërmarrje me më shumë se 1.000 punonjës merren intensivisht me kërkime shkencore dhe zhvillim teknologjik. Jan Wieseke nga Universiteti Bochum Ruhr thekson se vendimtare nuk janë vetëm shumat që investohen tek kërkimet shkencore dhe zhvillimi i teknologjive të reja, por edhe efektiviteti. Kështu sipërmarrjet e mesme kanë arritur të patentojnë me më pak para më tepër patenta se sipërmarrjet e mëdha.

Norma të qëndrueshme rritjeje

Përmirësimin e vazhdueshëm të procesit të prodhimit dhe investimet për hulumtime dhe zhvillimin teknologjik nga shumë kompani Gero Stehnke i Shoqatës gjermane të Donatorëve për Shkencën e lidh me aspektet globale të konkurrencës dhe e sheh si diçka normale. Ka kompani që duhet t’i përmirësojnë prodhimet e tyre edhe për t’ua përshtatur tregjeve të reja, p.sh. tregut kinez, thotë ai. Në thelb kjo ka të bëjë me përshtatjen e produkteve evropiane me kërkesat e tregut kinez.

Professor Jan Wieseke thekson se firmat gjermane janë të përqendruara tek “inovacionet inkrementare”, pra tek perfeksionimi maksimal i produkteve, kurse idetë krejt të reja janë pak në fokus. Megjithatë Shoqata gjermane e Donatorëve për Shkencën mendon se me shumat e mëdha që duan të vënë në dispozicion për kërkimin shkencor dhe zhvillimin teknologjik sipërmarrjet gjermane në të ardhmen, që pritet të shkojnë deri në 5%, ato janë në rrugë të mirë. shkruan DW. /RadioRINIA/

Previous articleTaulant Xhaka bëhet shtetas i Shqipërisë
Next articleIlir Deda do të mbajë ligjeratë të Enjten në Gjilan