Home Uncategorized “Grupi i Gjilanit” padi për shtetin serb

“Grupi i Gjilanit” padi për shtetin serb

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, i ashtuquajturi “Grupi i Gjilanit”, që u arrestuan në dhjetor të vitit 2008 kanë vendosur të padisin shtetin serb, për shkak të mbajtjes në burg për pesë vjet.

Nëntë shqiptarë u arrestuan dhe dënuan nën akuzën për krime lufte në zonën e Gjilanit, por gjykata në Beograd në një proces rigjykimi vendosi se ata ishin të pafajshëm dhe se nuk kishte dëshmi për të kundërtën.

Arrestimi tyre ka qenë mjaft i përfolur në media, si një prej arrestimeve më spektakolare në Serbi. Por, për lirimin e tyre u raportua pak në mediat serbe.

Disa prej tyre thonë se familjet e tyre kanë vuajtur për mbijetesë, pasi kanë qenë kryefamiljarë dhe nuk ka pasur kush të punojë. Gjithsesi, humbja e tyre është më e madhe.

“Mua ato të holla nuk m’i kthejnë prapa vitet, prandaj kësaj çështje do t’i shkoj deri në fund”, thotë Agush Memishi, ish-i burgosur.

“Na kanë rrëmbyer dhe ne kemi ndenjur në burg pa bërë asnjë faj”, thotë Ahmet Hasani, një tjetër ish-i dënuar.

Gjykata për krime lufte në Beograd fillimisht i pati dënuar këta persona me 116 vjet burgim.

Ata ishin akuzuar për vrasje, përdhunime dhe keqtrajtime në territorin e Gjilanit dhe në një kamp të UÇK-së. /RadioRINIA/

Previous articleKE: Kosovës i hiqen vizat kur të ndalet migrimi ilegal
Next articleHaziri: garanton bashkëpunim të shkëlqyeshëm organizatës “Danida”