Gjilan – Është hapur sot ekspozita e artit pamorë në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit 2014”, e cila u mbajt në Galerinë e Qytetit, ku është bërë edhe shpallja e fituesve të kësaj ekspozite.
Në këtë ngjarje mori pjesë kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri me bashkëpunëtorë, regjisori Ekrem Kryeziu, artistë të të gjitha fushave nga të gjitha trojet etnike, ndërsa enkas për këtë ngjarje ka ardhur nga Shqipëria shkrimtari i famshëm, Visar Zhiti.
Ekspozitën e hapi Afrim Behluli, drejtor i shkollës së arteve në Gjilan, i cili i vlerësoi lartë 46 autorët të punimeve të ndryshme.
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, theksoi se përmes kësaj ekspozite e bëjmë nderimin për sakrificën e dëshmorëve të kombit, të cilën dhanë jetën për të gëzuar ditët e sotme.
Haziri, para artistëve pjesëmarrës nga të gjitha trojet etnike, ka thënë se po kthehet në “Flaka e Janarit 2014”, së bashku me Visar Zhitin në manifestimin e 23-të me radhë që organizohet për t’i kujtuar të rënët në janar dhe në periudhat e tjera kohore për ta çliruar vendin.
“Nderin dhe respektin sot e bëjmë ndaj atyre që flijuan, sakrifikuan dhe bënë gjithçka që është e mundur për të mirën e vendit dhe ky manifestim i kushtohet kauzës së tyre. Gjilani gjithnjë nderimin e ka bërë për të gjithë të rënët përmes artit dhe vlerave kulturore. Kjo ekspozitë vazhdon të jetë, të ecë dhe ta zbukuron muajin kulturorë dhe mbarëkombëtar në Gjilan. Prej restoranteve, ambienteve dhe galerive të vogla, për 23 vjet me radhë jemi edhe më tutje në këtë sallë të vogël, të Galerisë së improvizuar dhe Gjilani shumë shpejt duhet të bëhet me Galeri, Muze dhe kinema. Pa këto tri institucione kulturore nuk e ka kuptimin e plotë një qytet siç është Gjilani”, ka thënë Haziri, duke thënë se jemi borxhlinj të artistëve kur e kemi parasysh rrugën kah ka kaluar arti në përgjithësi dhe manifestimi i Flakës në veçanti.
Komisioni vlerësues në përbërje të: Demir Behlulit – piktor, Rasim Vllasaliut – Grafikë dhe Sami Shabani – skulptor, ka shpallur fitues të kësaj ekspozite tre artistë:
Agron Bytyqi – fitues i çmimit tradicional për pikturë
Arta Ramadani – fitues i çmimit për pikturë dhe
Blerta Hyseni – fitues i çmimit për skulpturë
Ndërsa për çmimin blerës për fondin e Galerisë është vendosur të blehet vepra e pedagogut Zejnullah Zejnullahu.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 31 janar. /RadioRINIA/