Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës , Ramush Haradinaj, ka thënë se një pjesë e misionit të EULEX-it duhet të vazhdojë të qëndroi në Kosovë për të ndihmuar sistemin gjyqësor në Kosovë dhe integrimin e veriut. Lidhur me deklaratat e fundit të Demaçit, i cili e ka quajtur Haradinajn “axhami në politikë”, lideri i AAK-së ka thënë se ka respekt për rrugën jetësore të Demaçit dhe nuk komenton deklaratat e tij.
Këto qëndrime ai i ka shprehur, pas raportimeve në media se bashkësia ndërkombëtare po kërkon nga liderët e vendit që njëherë të kryejnë çështjen e Tribunalit dhe të përcaktohen për mandatin e EULEX-it, e pastaj të caktohet data për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë.
“E kam pak të vështirë të ja jap qëndrim të saktë për shkak se nuk jemi pjesë e negocimit të Tribulanit, të asnjë aspekti realisht. Ne kohë pas kohe informohemi në mënyra të ndryshme, por nuk jemi palë në tavolinë, institucionet e vendit të sotme përfaqësojnë këtë temë, por më vjen keq por që kjo temë është në shpërputhje me shumë balance të ligjit dhe asaj që ka ndodhur në vend, kemi mbajt qëndrim parimor, ndryshe Aleanca nuk e ka përdor ketë temë për fushatë të Tribunalit, por kemi mbajt qëndrim parimor, të mbrohet Kosova këtë rast edhe të insistohet që gjyqësori i Kosovës së bashku më partnerët tanë këtë rast EULEX t`i marrin përgjegjësit”, ka thënë Haradinaj, transmeton KP.
Haradinaj ka komentuar edhe deklaratat e veprimtarit Adem Demaçi, i cili mbrëmë e ka thënë se Ramush Haradinaj po bënë politikë të axhamive.
Ai në shaka e ka thënë se për Demaçin, ai është axhami.
“E vërtetë. Kahasuar me bacin Adem unë jam një axhami. Jam një gjeneratë më e re, e atë e respektoj shumë. Ai ka një rrugë jetësore, po them ashtu të sakrificës së madhe për vend. Asnjëherë s`komentoj deklaratat e tij, e di rrugën jetësore, i di sfidat e tij, e vërtet që jam shumë i ri në moshë për të”, ka thënë Haradinaj.
Ai po ashtu ka thënë se nuk dëshiron që me çdo kusht të bëhet kryeministër, por që për këtë pozitë ka thënë se ai i është ofruar qytetarëve si ofertë, për ta qeverisur vendin.